Opinion

Kush rrezikohet vërtetë nga axhenda LGBT

Brenton Kotorri

Parada Gay Pride e 2017 në Tiranë fatmirësisht kaloi pa shkaktuar asgjë me rëndësi. Vëmendja publike e tërhequr plotësisht tek kriza politike në vend dhe sidomos protesta e datës 13 maj e bëri thuajse të padukshme paradën. Ndoshi ajo që kemi parashikuar vite më parë, se pas një interesimi ekzotik prej emisioneve të ndryshme televizive, tema e homoseksualizmit do ta humbte interesin. Thjesht, pasi në paradën gay, nuk ka një kauzë publike. Fatmirësisht dështoi edhe parashikimi ynë i para një viti se axhenda LGBT do të kërkonte kuota në parlament. Nga ana tjetër, nuk mund ta flemë mendjen e të mbyllim sytë. Parada ndodhi. Pak homoseksualistë dhe akoma më pak homoseksualë shaluan dyrrotakët dhe djersitën për pak minuta në rrugë.

George Berkley filozofi empiricist britanik shtronte pyetjen “Nëse një pemë rrëzohet në pyll dhe askush nuk e sheh a dëgjon, a mund të themi se pema ra?” përgjigja më simpliste është po, nëse pema rrëzohet, ajo rrëzohet, edhe nëse askush nuk e dëshmon. Diametralisht në logjikë formale, dilema tjetër është ajo e pikës si njësi gjeometrike. A ka sipërfaqe pika? Nëse do të kishte sipërfaqe do të kishte të paktën dy dimensione, gjerësi dhe gjatësi e ndaj do të reshtte së qeni pikë e do të bëhej qark. Pra pavarësisht se të gjithë njerëzit mund ta imagjinojnë se pika ka sipërfaqe, në fakt pika nuk ekziston askund në natyrë.

Pra parada gay, sado e pafuqishme, sërish ekziston. Kjo pafuqi e axhendës homoseksualiste për ta shtrirë veprimtarinë edhe më gjerë në politikë, i bën disa njerëz të jenë neutralë. Shumë opinionbërës por edhe njerëz të zakonshëm mendojnë se për aq kohë sa ka homoseksualë për rrjedhojë duhet të ketë edhe paradë. Ose mendojnë se për aq kohë sa ata nuk na bëjnë ndonjë gjë personalisht, le të vazhdojnë në punën e tyre. Të dyja këto hamendësime janë problematike. E para, pasi ekzistenca e një grupimi shoqëror nuk jep lirinë që ai grup ta përkthejeë identitetin e vet në një axhendë publike. Mund të mendoni neonazistët përshembull. E dyta, fakti që ndikimi i axhendës LGBT është ende larg, nuk o të thotë që nuk e ka nisur rrugën drejt cënimit të lirive tona.

Shumë njerëz qendrojnë gjithashtu neutralë, pasi nuk duan të identifikohen si njerëz që diskriminojnë të tjerët, apo që mbajnë ende mendime tradicionale. Sepse tanimë është axhenda LGBT e cila na e drejton gishtin ne dhe na quan prapanikë, thjesht sepse duam të besojmë se modeli i familjes është ai tradicionali, dhe vetëm ai model mund të përkufizohet si familje. Mirëpo ka një defekt axhenda LGBT në shqipëri, homoseksualistët besojnë se ne që duam të ruajmë vlerat shoqërore tradicionale, nuk kemi asnjë haber nga perëndimi që ata e shesin si përparimtar e mendjehapur. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të shihet fare mirë se si e ka pushtuar axhendën politike, axhenda LGBT, nëse një grup djemsh e vajzash që nuk duan ta quajnë veten djem e vajza, i shihni në rrugë të buzëqeshur dhe i mendoni si të pafajshëm, ata ia kanë dalë t’ju bindin se axhenda LGBT është një axhendë e drejtë. Nëse ama do të shihni se çfarë trazirash sociale dhe çfarë përçarjesh shoqërore ka sjellë kjo axhendë, atëhere hidhni sytë nga SHBA.

Malta është gjithashtu një mikroshtet fare pranë nesh. Malta prej disa muajsh tashmë është bërë shteti i parë në BE i cili e ka ndaluar me ligj që një qytetar të ndihmojë një tjetër qytetar për të kaluar nga sjellja homoseksuale në sjellje heteroseksuale. Cilido që përpiqet ta kthejë një homoseksual edhe një herë në heteroseksual, dënohet me gjoba 10 mijë euroshe. Nëse koncepti i lirisë të shtyn të mendosh se gjithkush ka të drejtën të propagandojë lirisht gjithçka në sferën publike, që nga reklamimi i produkteve e deri tek thirrja për të fituar vota elektorale, atëhere duhet të jetë i lirë cilido që të bëjë propagandë anti-homoseksualiste. Ja pra çfarë mund të ndodhe fare thjesht edhe në shqipëri. Nëse axhenda LGBT, me mjetet e saj do të arrijë sukses, atëhere edhe une që shkruaj këto rreshta do të gjobitesha ndoshta burgosesha si një anti-LGBT-ist. Pasi sikurse vërtetohet vazhdimisht e vazhdimisht, liberalët janë tolerantë vetëm nëse ti je dakord me ta.

Axhenda LGBT është ngritur prej një grupi që ka interes të promovojë sjelljen e vet seksuale si diçka krejt normale dhe që nuk sjell asnjë pasojë shoqërore. Mirëpo përveç promovimit ata kanë nisur dhe insistojnë që të kenë edhe të drejta. Të proklamojnë, të martohen, të adoptojnë fëmijë, të marrin mbështetje nga taksat tona, e kështu e me radhë. T’i japësh të drejta një grupimi për shkak të sjelljes së tyre sociale është një precedent për t’i dhënë të drejtë cilitdo grupim që ngre axhendë mbi një sjellje sociale. Kush ka mjaftueshëm njohuri sociologjike bashkëkohore mund t’i kuptojë fare mirë pasojat e mundshme./ pb

Etiketa

OPINIONE