Kuvendi i Kosovës nuk miraton rezolutën për dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës nuk miratoi rezolutën e propozuar nga partitë opozitare, kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi që në dialogun me Serbinë të negociojë për “korrigjimin e kufijve”.

Për rezolutën votuan vetëm 50 deputetë nga 90 të pranishëm, ndërsa nuk ka pasur kundër as abstenim. Pas kësaj deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes u larguan nga salla, ndërsa deputetët e Listës Serbe nuk ishin pjesë e seancës.

Para votimit, grupet parlamentare, as sot, nuk arritën të harmonizonin tekstin e përbashkët të rezolutës.

Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, shprehu gatishmërinë e opozitës, si propozues, të përfshijë në tekstin e rezolutës njërën nga pikat e propozuara nga partia qeverisëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Kuvendi i Republikës së Kosovës ripërsërit se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unik shtetëror i Republikës së Kosovës janë të paprekshme. As presidenti por as ndonjë tjetër nuk ka të drejtë të negociojë për territorin e Kosovës”, tha Hoti në leximin e tekstit të ri-formuluar të rezolutës.

Kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij nuk do të jetë pjesë e votimit, meqë siç tha, opozita refuzoi pikat e tjera të propozuara nga ana e tyre.

Krasniqi mendon se opozita vazhdon me lojërat politike, me çka dhe vetë lejon Thaçin të vazhdojë dialogun në Bruksel.

Partitë e tjera të koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (Nisma) gjithashtu nuk morën pjesë në votimin për rezolutën.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne