Libani: Duhen 7 miliardë dollarë për rindërtimin e zonave të prekura nga sulmet izraelite

Kryeministri libanez, Nawaf Salam tha se u duhen të paktën 7 miliardë dollarë për rindërtimin e zonave të prekura nga sulmet izraelite. Kryeministri Salam bëri një deklaratë për media pas takimit të tij me kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri në kryeqytetin Bejrut. Ai tha se gjatë takimit me kryeparlamentarin Berrin, diskutuan për rindërtimin e rajoneve jugore që iu nënshtruan sulmeve shkatërruese të Izraelit dhe theksoi se ata po u përmbahen punimeve të rindërtimit të përcaktuara në planin e qeverisë.

Kur u pyet nëse përpjekjet e rindërtimit ishin të lidhura me çarmatimin e Hezbollahut, Selam tha: “Na duhen mbi 7 miliardë dollarë për rindërtim. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, kjo shumë arrin në 14 miliardë dollarë. A kemi fuqinë të mbledhim 14 miliardë dollarë në një muaj apo në një vit? Sigurisht që jo”. Selam potencoi se ata arritën të merrnin 250 milionë dollarë nga Banka Botërore nëpërmjet përpjekjeve të tyre të vazhdueshme dhe se synojnë ta rrisin këtë shumë në një miliard dollarë së shpejti.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi paqen me Izraelin, kryeministri libanez Salam tha se ata janë në favor të paqes, e cila parashikon krijimin e një shteti palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor, në përputhje me Iniciativën e Paqes në Bejrut të miratuar nga vendet arabe në vitin 2002. Salam, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me “eksportin e revolucionit nga Irani”, tha: “Nuk e di nëse revolucioni iranian ende flet për eksportimin e revolucionit. Ata nuk e përdorin më atë retorikë. Ata thanë se morën kontrollin e 4-5 kryeqyteteve arabe. Pra, këto i përkasin të kaluarës”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne