Bota

Libi, milicët e Haftarit bombardojnë kryeqytetin Tripoli

Milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë, bombarduan aeroportin Mitiga në Tripoli, mëngjesin e Fitër Bajramit.

Në një deklaratë nga zyra për media e operacionit “Burkan Al-Ghadab” të zhvilluar nga ushtria e Libisë, thuhet se milicët e Haftar goditën me raketa në orët e para të mëngjesit aeroportin Mitiga në kryeqytet.

“Sulmet e kryera vërtetojnë se milicët e Haftarit nuk respektojnë muajin e Ramazanit, Fitër Bajramin, traditat e tyre si dhe thirrjet e tyre të pavlefshme për armëpushim”, thuhet në deklaratën në të cilën nuk është dhënë ndonjë informacion lidhur me humbje të jetëve dhe të plagosur.

Ushtria e Libisë kohët e fundit ka kryer një sërë operacionesh ushtarake të suksesshme kundër milicëve të Haftarit. Qeveria libiane më 18 maj largoi nga baza ajrore strategjike Al-Watiya milicët e Haftarit dhe vazhdoi pastrimin e milicëve nga zona të ndryshme në rajonet në perëndim.

Njësitë e ushtrisë që rrethuan rajonin Tarhuna, i cili u përdor si qendër opracionesh dhe furnizimesh në sulmet e militantëve të Haftarit, me këtë veprim detyruan disa grupe të armatosura që nga frontet në jug të Tripolit të tërhiqen në mbrojtje të rajonit Tarhuna. Sot njësitë e ushtrisë pastruan nga milicët një zonë të gjerë në jug të Tripolit që përfshin kampet ushtarake Yarmouk, Sawarikh dhe Hamza.

Dje duke përparuar drejt zonave Salah al-din dhe Al-Mashru në jug të Tripolit, njësitë e ushtrisë kanë rimarrë nga milicët e Haftarit pikat kritike në rajon dhe kanë vendosur kontrollin në kampin ushtarak Al-Tekbali që ndodhet në këtë zonë. Milicët e Haftarit gjatë tërhoqjes nga frontet në pjesën jugore të Tripolit kishin vendosur shumë kurthe me lëndë shpërthyese në zonat e banuara./AA

OPINIONE