Bota

Liderët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruajnë paktin e zhvillimit të Karabakut

Në një takim që u zhvillua dy muaj pas shpalljes së armëpushimit në rajonin e Malësisë së Karabakut në Kaukaz, liderët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një pakt për zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe të infrastrukturës në dobi të të gjithë rajonit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ai azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, pas samitit që u zhvillua në Moskë u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Presidenti Putin përshëndeti bisedimet duke i cilësuar si “jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të dobishme”.

Pas katër orë bisedimesh trepalëshe, Putin u tha gazetarëve se arritën një marrëveshje për zhvillimin e situatës në rajon.

“Dua të them, hapa konkrete për të ndërtuar lidhjet ekonomike dhe për të zhvilluar projekte infrastrukturore. Për këtë qëllim, do të krijohet një grup pune, i cili do të drejtohet nga zv/kryeministrat e tre qeverive, Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë. Në të ardhmen e afërt ata do të krijojnë nëngrupe ekspertësh të cilët do të paraqesin plane konkrete për zhvillimin e infrastrukturës dhe të ekonomisë së rajonit”, tha Putin.

Putin shprehu bindje se nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të përfitojë populli armen dhe ai azerbajxhanas, por edhe i gjithë rajoni në tërësi.

Presidenti rus po ashtu tha se marrëveshja e 10 nëntorit midis tre vendeve, që i dha fund konfliktit 44-vjeçar të Malësisë së Karabakut, në përgjithësi është përmbushur, si dhe shtoi se njësitë ushtarake ruse përkohësisht në rajon po kryejnë detyrat e tyre.

Konflikti i Malësisë së Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, i njohur ndërkombëtarisht si territor i Azerbajxhanit.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator të vitit 2020, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, madje edhe shkeli marrëveshjet humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit prej gjashtë javësh, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe pothuajse 300 vendbanime dhe fshatra, ndërsa të paktën 2.802 ushtarë azerbajxhanasë u martirizuan. Ka pretendime të ndryshme në lidhje me numrin e viktimave nga pala armene, që sipas burimeve zyrtare mund të jetë deri në 5 mijë.

Të dy vendet më 10 nëntor nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Një qendër e përbashkët turko-ruse po krijohet në rajon për të monitoruar armëpushimin. Trupat paqeruajtëse ruse po ashtu janë vendosur në rajon.

Armëpushimi konsiderohet si fitore për Azerbajxhanin dhe humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.

Megjithatë janë raportuar shkelje në javët e fundit, me disa ushtarë armenë që thuhet se ishin fshehur në enklavën malore./AA

OPINIONE