Lufta kundër islamofobisë përtej ideologjisë

Është e mirë-dokumentuar se islamofobia në Perëndim është një industri që prodhon të ardhura të mira financiare dhe arritje politike. Në këtë klimë ndërkombëtare është më e kollajtë për të kuptuar se si në fakt grupe të caktuara muslimane – edhe mes shoqërive shqiptare në Ballkan – janë jo vetëm viktima, por edhe përdorues të islamofobisë

Shkruan: Besnik SINANI, Tiranë

Pas njëzet vjetësh nga formulimi i parë në shkencat sociale të konceptit të islamofobisë nga sociologë në Britaninë e Madhe, koncepti rreth saj është ende i debatuar nga vetë fakti se afirmimi i saj do të rezultonte me nevojën e ballafaqimeve të vështira rreth vlerave dhe politikave të vendeve europiane. Por, teksa në botën akademike janë shtuar programet studimore, raportet e konferencat e studimit të islamofobisë, si formë racizmi dhe bigotrie, që rezulton në diskriminim, të huajësim e, shpesh, edhe dhunë ndaj pakicave muslimane kryesisht në Perëndim, koncepti i islamofobisë në vende nominalisht me shumicë myslimane është një koncept pothuaj aspak i studiuar.

Edhe një analist e gazetar musliman në Shqipëri vjet, në një debat televiziv dedikuar islamofobisë, e konsideroi “non-sense” idenë e islamofobisë në një shoqëri me shumicë muslimane dhe e adresoi se ekziston vetëm ndër disa analistë mediatikë. Prandaj ia vlen të ndalemi shkurtimisht ndoshta në këtë pohim, i cili duket ta neglizhojë lidhjen e politikës me median në Shqipëri e më gjerë në shoqëritë shqiptare në rajon. Më tej, deklarata e fundit e Ramës në Berlin, e cila nuk është e para e llojit të vet, bashkangjitur kjo deklaratave të ngjashme të Presidentit aktual, tregojnë se islamofobia është shëndoshë e mirë në diskursin e politikanëve shqiptarë.

Me kolegun Elton Hatibi jemi përpjekur të dokumentojmë në raportin për islamofobinë në Europë në vitin 2017, ku e kemi shkruar raportin për Shqipërinë ose edhe në raportin që kam shkruar në 2016, se politikat islamofobe identifikohen lehtësisht në programet arsimore, por edhe në politikat ligjore, ku ndoshta rasti më flagrant është arrestimi i një numri besimtarësh muslimanë pa asnjë transparencë ose mbështetje ligjore, veprim që është përballur me heshtje nga publiku i gjerë, por dhe nga vetë institucionet drejtuese të muslimanëve shqiptarë. Vetëm një prezencë e mirë-përhapur e islamofobisë mundëson mbylljen e një xhamie simbol në kryeqytet, si ajo e Ethem Beut, për “arsye sigurie”, pa pasur nevojë të përmendim se pas faljes së Bajramit në sheshin qendror të kryeqytetit, mediat e vendit u kthyen në platforma të hapura urrejtjeje ndaj muslimanëve.

Tjetërkund kam shkruar se islamofobia është në thelb të identitetit politik të Shqipërisë post-komuniste. Megjithatë kjo nuk na shpjegon se pse gjendet islamofobia në një vend me shumicë nominale muslimane. Nëse kujtojmë se islamofobia në thelb është formë racizmi dhe bigotrie, atëherë mund të mbështetemi në një literaturë të pasur studimore që tregon se grupe të margjinalizuara shpesh përqafojnë nocione dhe interpretime të grupeve dominuese, që drejtohen kundra vetes së tyre. Kjo është e rëndësishme të kuptohet në një kohë kur islamofobia ka gjetur një shkallë të re normaliteti në klimën politike europiane me fuqizimin e partive të djathta dhe në përbërjen e kabinetit aktual amerikan.

Ndërkaq është e mirë-dokumentuar se islamofobia në Perëndim është një industri që prodhon të ardhura të mira financiare dhe arritje politike. Në këtë klimë ndërkombëtare është më e kollajtë për të kuptuar se si në fakt grupe të caktuara muslimane – edhe mes shoqërive shqiptare në Ballkan – janë jo vetëm viktima, por edhe përdorues të islamofobisë. Para pak vitesh, kryesia e Komunitetit Musliman Shqiptar, e drejtuar prej pasuesve të lëvizjes “Gylen”, u gjend në konflikt me një grup besimtarësh në lidhje me një xhami në kryeqytet. Në betejën e tyre mediatike, ata furnizuan një sërë akuzash që kishin për qëllim t’u apelonin haptazi disa klisheve islamofobe shqiptare, si fjala vjen se grupi kundërshtues merrte donacione arabe. Nuk jepej asnjë informacion shtesë, provë ose nëse besohej se këto fonde të supozuara ishin në ndonjë mënyrë të paligjshme, sepse mjaftonte të flitej për “fonde arabe” dhe ishte arritur qëllimi i dëshiruar i të shënuarit të grupit kundërshtar si i dyshimtë, mundësisht i rrezikshëm e ekstremist.

Në mes të mohimit të vetë ekzistencës së islamofobisë në Shqipëri nga shumica e opinion-bërësve ka edhe një apati muslimane në dokumentimin dhe edukimin e publikut rreth pasojave shoqërore të prezencës së islamofobisë në politikë, media, sistem gjyqësor, punësim e sistemin arsimor. Besoj se ka disa arsye për këtë apati. Komuniteti Musliman Shqiptar nuk ka as vullnetin, as kapitalin për një veprimtari të tillë e, mbi të gjitha, është formësuar në vitet e tranzicionit jo si institucion përfaqësues, por si institucion kontrolli. Shoqëria civile e subvecionuar e muslimanëve nuk e ka vizionin që në fillimet e veta për këtë lloj aktivizmi,a andaj qartazi mund të spekulohet se nuk i ndjen të njëjtat presione në terren si muslimanët e thjeshtë. Entitetet e mësipërme janë bërë pjesë e dekorit fetar shqiptar larg vetë arsyes së ekzistencës së shoqërisë civile, që buron nga një bashkësi e caktuar.

Një tjetër arsye, besoj, ka të bëjë me një kahe ideologjike të përqafuar nga disa prej zërave më të artikuluar të bashkësisë muslimane. Kjo kahe politike e djathtë, e cila shpesh pretendon rrobën e tradicionalizmit, është shpesh – në mënyrë absurde mund të thotë dikush – e informuar dhe e frymëzuar nga ideologë anti-muslimanë, që formulojnë qëndrime dhe politika globale të një të djathte me përngjasim shqetësues me fashizmin. Të tilla kahe janë më të investuara në ideologji sesa me interesin publik të bashkësisë në të cilën aderojnë (maslaha). Nuk është e habitshme, pra, që mes tyre më shumë prominencë kanë debatet për paradat e LGBT-së sesa islamofobia. Për më tepër, në diskursin global, kauza e rezistencës kundra islamofobisë është pjesë e një kauze progresiste dhe, si e tillë, nuk ka se si mos të shihet me dyshim, në mos tërësisht të deligjitimohet nga korente të tilla ideologjike të djathta.

Bashkësia muslimane shqiptare ka treguar se nuk e ka as vullnetin e as resurset intelektuale për një debat mbi mungesën e përfaqësimit ose për këtë kontradiktë ideologjike – e ndoshta as për ta identifikuar atë. Që të jem deri në fund i qartë, nuk besoj në një zgjedhje të pakusht: ose me konservatorizmin e informuar nga e djathta perëndimore ose me agjendën progresive në injorim të parimeve fetare të bashkësisë muslimane. Liderët muslimanë në Perëndim kanë dëshmuar se me përpjekje të sinqerta intelektuale dhe ankorim të thellë në traditën etike dhe spirituale islame, ka pozicione që u qëndrojnë besnikë principeve të tyre etike teksa afirmojnë respektin për diversitetin shoqëror. Imami nga Texas-i, Omar Suleiman, është vetëm një shembull në këtë drejtim.

Në të kundërtën, përqafimi i një agjende të djathtë ideologjike do të vazhdojë t’i përsërisë klishetë për besnikëri ndaj lirisë, familjes e Zotit, duke injoruar presionin e islamofobisë, që sipas të gjitha gjasave do të shtohet ndaj familjeve muslimane, atyre me jetë të përditshme larg kaheve ideologjike, ndaj lirisë për ta jetuar fenë në mënyrë që u jep kuptim jetës së tyre dhe marrëdhënies së tyre me Zotin. Teksa në formën e tyre aktuale, vetë Komuniteti Musliman ose shoqatat e shumta muslimane vështirë ta shohin adresimin e islamofobisë si një kauzë që meriton vëmendje e përpjekje serioze./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne