Bota

Maas: Mosmarrëveshja mes partnerëve të koalicionit në lidhje me emigrantët i shkakton dëme vendit

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi se mosmarrëveshja mes partnerëve të koalicionit në lidhje me emigrantët i shkakton dëme vendit.

Në prononcimin e tij të bërë gjatë konferencës së përbashkët me homologen e tij bullgare, Ekatarina Zaharieva, në Berlin, ministri Maas preku edhe në mosmarrëveshjen për çështjen e emigrantëve që po jetohet brenda qeverisë.

“Vazhdimi i këtij debati aktualisht dëmton imazhin e Gjermanisë dhe më e rëndësishmja dëmton qeverinë”, bëri të ditur Maas.

Ai u bëri thirrje Partisë së Unionit Demokristian (CDU) dhe Partisë së Unionit Social Kristian (CSU) për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve rreth emigrantëve.

Maas, i cili përkrahë Kancelaren Merkel për shkak të rezultateve të dala nga Samiti i Bashkimi Evropian në lidhje me çështjen e emigrantëve që u mbajt javën e kaluar, deklaroi se “Aty ishin të pranishëm të gjithë. Ne e dimë se mund të ekzistojnë vetëm zgjidhje evropiane, ndërsa zgjidhjet kombëtare nuk janë zgjidhje”.

Ai gjithashtu shtoi se besojnë se rruga më e drejtë për të përparuar në çështjen e emigrantëve është ajo hap pas hapi.

Kryetari i Partisë së Unionit Social Kristian (CSU), Horst Seehofer kërkon që të fillojë largimi i atyre emigrantëve, të cilëve më herët u janë refuzuar aplikimi azili në Gjermani apo të cilët nuk kanë dokumente dhe që janë të regjistruar më herët në një vend tjetër të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq Kancelarja Gjermane, Angela Merkel dëshiron që këtë çështje ta zgjidh në nivel të Bashkimit Evropian./ trt

OPINIONE