Maqedoni e Veriut, kallëzime penale për mosrespektim të rregullave gjatë epidemisë

Ministria e Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka ngritur dy kallëzime penale me dyshimin për kryerjen e veprës “mosrespektim i rregullave shëndetësore gjatë një epidemie”.

Siç njoftoi ministria, Departamenti i Punëve të Brendshme në Kërçovë ka ngritur kallëzime penale kundër B.S. (46) nga Kërçova dhe S.A. (62) nga fshati Shutovë i Kërçovës.

“I dyshuari i parë u largua nga shtëpia e tij më 18.03.2020, megjithëse më 17.03.2020, nën përgjegjësi të plotë morale, materiale dhe penale, ai nënshkroi një deklaratë se vinte nga Austria, e cila sipas Listës së OBSH-së është prekur nga koronavirusi COVID-19, dhe se për një periudhë prej 14 ditësh do të zbatonte masën e izolimit të detyrueshëm në shtepinë e tij në Kërçovë”, tha MPB në një deklaratë.

Sipas ministrisë, edhe i dyshuari i dytë nuk e ka respektuar masën e izolimit shtëpiak prej 14-ditësh.

Më herët gjatë ditës, MPB njoftoi për gjithsej 24 kallëzime penale kundër 29 personave, prej të cilëve një pjesë më e vogël dyshohet të kenë kryer veprën penale “përçim i sëmundjes ngjitëse”, ndërsa pjesa më e madhe veprën “mosrespektim i rregullave shëndetësore gjatë një epidemie” sipas kodit penal të vendit.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë konfirmuar 48 raste me koronavirusin e ri, të njohur si COVID-19./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne