Rajoni

Maqedoni – Shkupjanët kërkojnë zgjidhjen e problemit të ajrit të ndotur

Nën moton “Është koha për ajër të pastër”, qytetarë të tubuar përmes rrjeteve sociale protestuan para godinës së Inspektoratit të Qytetit të Shkupit për të shprehur revoltën e tyre për ajrin e ndotur në kryeqytet.

Ata kërkuan nga institucionet përkatëse që të adresojnë në mënyrë të duhur këtë problem.

“Frymëmarrja nuk është një hobi”, “Vendosin etiketa mbi industrinë e rëndë”, “Katër të vdekur çdo ditë duke pritur për ajër të pastër”, ishin disa nga parullat e protestuesve që përmes kësaj dëshironin sensibilizimin e opinionit publik.

Disa nga të pranishmit thanë se i ndjejnë personalisht efektet e ajrit të ndotur mbi shëndetin e tyre, për çka dhe spitalet janë të mbushura me pacientë, duke apeluar që kjo çështje të trajtohet urgjentisht.

Ndotja e ajrit është një nga problemet kryesore me të cilat po përballen qytetarët e Shkupit në vitet e fundit.

Organizatat e shoqërisë civile edhe në të kaluarën kanë organizuar protesta të këtij karakteri duke kërkuar nga institucionet përkatëse në vend që të gjejnë mënyra për ta trajtuar problemin me ndotjen e ajrit dhe jo vetëm në Shkup, por edhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit.

Protesta kundër ndotjes së ajrit u mbajtën të shtunën edhe Kumanovë.

Qeveria e Maqedonisë ditë më parë shpalli një program strategjik me një fond prej 1,5 milionë eurosh, i cili synon zgjidhjen e problemit të ajrit të ndotur. / AA

OPINIONE