Maria ne Islam

Maria në librin e shenjte të muslimanëve, Kur’an është e vetmja grua që përmendet me emër dhe përshkruhet si e pastruar, e ndershme, e lavdëruar. Lindja e hz. Isait a.s. përshkruhet në dy pjesë të Kur’anit; sure 3 dhe sure 19.

Duke lexuar nga fillimi i lindjes së tij, ne njihemi me historinë e Hz.Merjemes dhe me pozicionin e nderuar të saj që tregohet në Kur’an, kur ajo mbyllet në faltore përpara lajmërimit se i është dhënë lindja e Isait a.s.: “Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ) dhe të lartësoi mbi gratë e botës.” ( Kur’an 3: 42 ) Një nder të tillë që i është dhënë Merjemes në Kur’an nuk gjendet, madje, as në Bibël. Ajetet vazhdojnë: “Oj Merjeme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen!” ( Kur’an 3: 43)

Shpallja nga Zoti

Cili është burimi i këtij teksti të mrekullueshëm dhe madhështor, i cili në leximin apo këndimin origjinal në gjuhën arabe të vë në një gjendje emocionale të papërshkrueshme dhe të përlot? Në ajetin 44 shkruan: “Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i zbresim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete.” ( Kur’an 3: 44 )

Lindja e Merjemes

Historia tregon se gjyshja nga nëna e Isait a.s., Hannah, deri më parë nuk kishte mundur të lindë. Ajo iu drejtua me sinqeritet Zotit. Në qoftë se Zoti do t’i falte asaj një fëmijë, ajo sigurisht do t’ia përkushtonte fëmijën shërbimit të Zotit në faltore.

Pika kulminante

Zoti i dhuroi një lindje si dhuratë e lutjes së pastër të saj. Ajo qe përgatitur për një djalë, por në vend të asaj që priste ajo lindi një vajzë. Por për atë që ajo kishte në mendje, një femër nuk mund të barazohej me një mashkull. Çfarë do të bënte ajo më pas? Ajo bëri një vend ku t’i lutej Zotit. Ajo mezi priste sa t’i rritej Merjemja dhe të kujdesej për veten e vet. Me kalimin e kohës, Hannah e mori vajzën e saj të dashur, akoma të vogël, që ta dorëzonte për shërbim në faltore. Çdo prift kërkonte me ngulm që të ishte kujdestari i asaj foshnje aq të dashur. Ato hidhnin short me shigjeta për të, por, përfundimisht, kismeti ishte që ta mbante Zekeriai…

Sure Merjem

Eshtë një kapitull i tërë në Kur’an i quajtur Sure Merjem. (Kapitulli Maria), i emërtuar për nder të Merjemes, nënës së Isait a.s., nderim të cilin nuk e gjejmë t’i jepet Merjemes as në Bibël. Nga 66 librat e Biblës që i pranojnë besimtarët protestantë dhe mbi 70 librat e Biblës që i pranojnë besimtarët katolikë e ortodoksë , asnjëri prej tyre nuk është emëruar Maria ose në emrin e djalit të saj. Kurse nuk ka asnjë kaptinë në Kur’an me emrin Emine, emri i nënës së Muhammedit (a.s.), as Hatixhe, gruaja e tij, apo Fatime, vajza e tij e dashur……

Për hz.Mejremen në Kur’an, në Suren Merjem, përveç tjerash shkruan:

16. E, përmendju në këtë libër (tregimin për) Merjemen kur ajo u largua prej familjes së saj në një vend në lindje. 17. Ajo, vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhibrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi. 18. Ajo tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmëshirëshmit prej teje, nëse je që frikësohesh Atij (pra më le të lirë)!” 19. Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”. 20. Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur mua nuk më është afruar njeri (nuk jam e martuar), e as nuk kamë qenë e pamoralshme”. 21. Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa babë) argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!” 22. Ajo e barti atë (Isain), andaj (me të në bark) u izolua në një vend të largët. 23. E dhembja (e lindjes) e mbështeti atë te një trup i hurmës. Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar që moti!” 24. E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përrockë (uji)”. 25. E ti shkunde trupin e hurmës se do të bijnë ty hurma të freskëta. 26. Ti pra, ha pi e qetësou, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë ka vendosur heshtje për hir të Gjitëhmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” 27. Dhe duke e bartur ngryk shkoj me të te të afërmit e vet ata i thanë: “Oj Merjeme, ke bërë një punë shumë të keqe!” 28. Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme! 29. Atëherë ajo u dha shenjë kah (Isai). Ata thanë: “Si t’i flasim atij që është foshnjë në djep?” 30. Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber. 31. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqat për sa të jemë gjallë! 32. Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! (Kur’an, Suretu Merjem, 16:32)

Kjo kaptinë ka zbritur në Meke dhe parashtron çështjen e besimit të drejtë në Një të vetmin Zot. Quhet “Kaptina për Merjemen” ngase dëshira, vullneti i Zotit ishte që mrekullia e këtij fëmiu të lindur prej nënës së ndershme, por pa babë, të besohet, të përjetohet, fuqia e pakufishme e Krijuesit të madhëruar…
Çështja e Merjemes virgjëreshë, e cila e lindi djalin Isain, paqja qoftë mbi te, është vërtetë një ngjarje e mrekullueshme që dëshmon se për Zotit Fuqiplotë s’ka asgjë të pamundshme.
Në Kur’anin e madhërishëm, Hz. Merjemja është e vetmja grua, të cilës i jepet titulli Siddika, pra përherë e vërtetësishme, besnike, një atribut që u jepet vetëm atyre të cilët janë më të afruarit me Allahun e Madhëruar dhe të Lartësuar, pas pejgamberëve (a.s.).

Edhe pse Hz.Merjemja nuk ishte profete, virtyti dhe afria e saj me Zotin duhet t’u shërbejnë si frymëzim të gjithë atyre që kërkojnë Rrugën e Drejtë.

Në Kur’anin famëlartë, hz. Merjemja paraqitet si shembull edhe për gratë e Pejgamberit (s.a.v.s.):

Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoj fjalët e Zotit të saj dhe librat e tij dhe ishte e devotshme.” Kur’an, (Suretu Tahrimë, 12)

Tri merita të hz.Merjemes

Në këtë ajet përmenden tri merita të hz. Merjemes , : Ajo ishte njëra nga të përkushtuarat (Kanitah), dëshmoi vërtetësinë e fjalëve të Zotit (Siddikah) dhe në fund pranoi Shpirtin nga Zoti.
Kanë kaluar dymijë vite që Shën Maria apo hz.Mejremja, sipas dëshmive në Bibël e Kur’an, pranohet prej besimtarëve të krishterë dhe muslimanë, që përbëjnë afër gjysmën e njerëzimit, si një shenjë nga Zoti fuqiplotë, me tri veçori, të cilat shpalosin qartë pozitën shpirtërore të hz.Merjemes Këto cilësi janë të qenit “më besnikja”, “e dëlira e Zotit” dhe “pranuesja e Shpirtit”.

Hz.Merjemja është një dëshmitare e të vërtetës islame

Përmendja e vazhdueshme e Merjemes, alejhasselam, në Kur’an ka bërë që shumë lexues të Kur’anit, veçanërisht jo-muslimanët, të çuditen për paanëshmërinë e dhe universalitetin e Kur’anit dhe besimin në origjinën e Tij hyjnore.
Nuk ishte nëna e tij, Eminja, nuk ishte gruaja e tij e devotshme, Hatixhja e cila ishte mbështetëse dhe besimtare e Muhammedit (a.s.) e as vajza e tij e dashur Fatimeja as ndonjë grua tjetër e cila mund të përmendej me ato lëvdata në Kur’an aq vazhdimisht dhe aq madhështore. Ishte Merjemja, nëna e Isait (Jezusit), Profetit të Krishtërimit (dhe zotit të tyre sipas tyre) një rival i paganizmit arab dhe dukshëm një rival i islamit që ishte zgjedhur nga Kur’ani. Nëse Profeti, salallahu alejhis ua selam, vetë do ta kishte shkruar Kur’anin (eudhu bilah – ne i kërkojmë Allahut mbrojtje nga të tilla shpifjeje), pse ai duhej ta lavdëronte rivalin e tij?! Nuk mund të jetë ndryshe por vetëm nga Allahu, Zoti i Merjemes, Isait (Jezusi), Musait dhe Muhammedit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të gjithë ata. As Muhammedi (a.s.) nuk kishte asnjëfarë dobie të përceptueshme që të lavdëronte Merjemen ose Isain. Në fakt, lavdërimi i Isait (Jezusit) dhe nënës së tij ishte politikisht jo korrekt në atë kohë, për publikun e Kur’anit, arabët, ishin të zemëruar që Kur’ani ishte duke lavdëruar “zotin” e të krishterëve ( duke e quajtur atë një Profet të ndershëm të Allahut) ndërsa duke mos i ofruar të tilla lavdërime për zotat e tyre pagan prej druri dhe gurësh…

Hz.Merjemja si një urë afrimi

Islamofobia, një sëmundje shpirtërore në dukje e re, por që është shumë e vjetër, është frika dhe urrejtja ndaj Islamit pa arsye të pranueshme. Mosnjohja e Islamit është burimi kryesor i kësaj sëmundje. Islami, të cilin ata e urrejnë dhe prej të cilit frikësohen, është “Islami” të cilin ata e paraqesin siç dëshirojnë në mjetet e informimit, dhe nuk ka lidhje me Islamin, me Kur’anin, i cili i është shpallur Muhammedit (a.s.)

Sipas Kur’anit, pranuesit e shpirtit nuk janë persona të rëndomtë. Ata shquhen qartë dhe përfitojnë nga një begati e veçantë prej Zotit. Në këtë kategori individësh spikat figura e Hz. Merjemes, e cila është një grua me një jetëgjatësi dymijëvjeçare e cila bashkon popuj të ndryshëm nga të gjitha racat, bashkon zemra njerëzore midis besimtarëve në jetën tokësore. Shembulli i Hz.Merjemes është shumë i rëndësishëm sot për të lidhur hapësirën midis dy qytetërimeve të mëdha dhe dy feve të mëdha, Islamit dhe Krishtërimit. Me të vërtetë kristianët e sinqertë duhet ta shikojnë Islamin, veçanërisht mbulesën e grave muslimane, si një imazh i ndershmërisë së Hz.Merjemes…

Kjo është një model i ndershmërisë që çdo grua e devotshme kristiane apo muslimane duhet ta ketë. Në fakt, shamia në Islam është mënyra e grave muslimane për të dëshmuar të njëjtën ide vazhdimisht.

Përgaditi M.Yvejsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne