Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 13-të)

Kryengritjet shqiptare të vitit 1912 në shtypin osman të kohës. (vijon nga numri i kaluar)

Në shkrimin e javës së kaluar vlerësuam lajmet e botuara në gazetën “Sabah” nën titullin “Gjendja në Shqipëri” në procesin drejt Luftës së Parë Ballkanike. Këtë javë do të vazhdojmë të trajtojmë kryengritjet në Shqipëri sipas shkrimeve të po të njëjtës gazetë.

Në fund të muajit dhjetor të vitit 1911 Shqiptarët e mbledhur në Stamboll me nismën e Ismail Qemal Beut bien dakord për të nxitur një kryengritje të përgjithshme, e cila do të fillonte nga Kosova dhe do të përshinte të gjitha trevat e tjera. Në këtë mbledhje Hasan Prishtina caktohet me detyrën e realizimit të përgatitjeve në Kosovë, kurse Ismail Qemali do të sigurojë mbështetje me armë dhe materiale nga Evropa. Me mbylljen e Dhomës së Deputetëve (të parlamentit osman) me nismën e Unionistëve, Ismail Qemali shkon në Evropë, kurse Hasan Prishtina niset për në Kosovë[1].

Në janar të 1912-s shqiptarët mblidhen në një miting dhe kërkojnë që disa të drejta dhe privilegje që u ishin njohur më herët malësorëve t’u jepen edhe atyre si dhe rikthimin e armëve të mbledhura. Në fund të muajit shkurt pakënaqësitë fillojnë e shtohen dhe në rrugën Pejë-Gjakovë organizohet një sulm kundër njësive që shoqëronin Mytesarifin Xhafer Tajar Beun[2].

Në mesin e muajit maj liderët politikë shqiptarë duke siguruar edhe përkrahjen e deputetëve të partisë së Lirisë dhe Marrëveshjes (Hürriyet ve İtilaf Fırkası), i njohur edhe si Bashkimi Liberal, fillojnë e bashkëpunojnë me kryengritësit. Isa Boletini bashkë me Zejnullah Beun (Vuçiterna), ish-deputetët Hasan Beu, Xhemal Beu (Prishtina), Nexhip Draga, Riza Beu (Kryeziu), Kryetarin e Komunës së Pazarit të Ri Arif Komadina marrin me vete njerëz të armatosur dhe fillojnë lëvizjen. Deputeti i Dibrës, Basri Beu u vendos në krye të 1.500 kryengritësve[3], kurse me mbështetjen e Dr. Riza Nur[4]’ organizohen kryengritjet në Shqipëri. Ditën e 22 qershorit malësorët e Bregut të Matës u zënë pritë forcave osmane të Kompanisë së Mitraljerëve të Regjimentit të 2-të. Në përleshje e sipër bien dëshmorë 2 oficerë dhe 9 ushtarë, ndërsa plagosen 13 ushtarë[5]. Këto trazira vazhdojnë me dezertimin e ushtarëve dhe xhandarëve në Manastir në qershor të 1912-s.

Edhe Ministria e Luftës në informacionin që i jep Agjencisë Osmane të lajmeve në 25 qershor bën të ditur se arratisjet përbëhen nga 12 xhandarë dhe 71 ushtarë. Të arratisurit, Ministria e Luftës i akuzon për shitje të atdheut të huajve dhe shprehet se ky veprim që ka njollosur ushtrinë ka ardhur si pasojë e marrjes së xhandarëve me politikë. Përveç kësaj komunikohet se ligji që do të parandalojë ushtrinë të merret me politikë i është dërguar për miratim Portës së Lartë (qeverisë). Gjithashtu njoftohet se deri sa të dalë ligji i ri oficerët që janë marrë me politikë do të ndëshkohen me forcë në kuadër të ligjeve ekzistuese[6].

Bie në sy se me largimin e Mahmut Shefqet Pashas në 9 korrik nga posti i Ministrit të Mbrojtjes Dhoma e Deputetëve (Meclis-i Mebusan) merr masa edhe më shtrënguese në lidhje me Shqipërinë. Në mbledhjen e parlamentit në 10 korrik pranohet propozimi i Komandantit të Korpusit të 7-të që gjendej në Vushtrri për fillimin e masave të ashpra dhe merret vendimi për dërgimin në Kosovës të një divizioni dhe regjimenti[7]. Qeveria në mbledhjen e datës 8 korrik merr vendim për të shkolluar pa pagesë 50 fëmijë të parisë së krahinës duke ofruar në zonën e trazuar nga kryengritjet shërbime të tilla si rrugë dhe shkolla të reja[8]. Ndërkohë që në Stamboll kemi këto zhvillime, dy xhandarë të arratisur kapen në Manastir dhe i dërgohen Gjykatës së Luftës. Sipas informacionit të siguruar nga gazeta “Sabah” të gjithë të arratisurit në Manastir fillojnë e kthehen pranë reparteve dhe garnizoneve të tyre[9].

Qeveria mendon se lajmet lidhur me kryengritjet në Manastir dhe Shqipërinë veriore janë ekzagjeruar nga media dhe e shikon të nevojshme që të bëjë një njoftim zyrtar për opinionin publik[10]. Vetëm se lajmet për kryengritjet në Shqipëri vazhdojnë të vijnë edhe në ditët e javët në vazhdim. Repartet ushtarake të dërguara nga Shkodra dhe Elbasani mbërrijnë në Krujë. Si pasojë e pjesëmarrjes në përleshjet me armë edhe të ushtarëve të këtushëm kryengritësit arratisen në një gjendje tepër të komplikuar. Në ndeshjen e armatosur të Mitrovicës, ku morën pjesë 1 mijë e 500 shqiptarë, merr pjesë edhe Boletini dhe pas 13 orë shkëmbim zjarri shqiptarët tërhiqen në drejtim të Llapit duke humbur rreth 30-40 luftëtarë[11].

Sipas lajmit të gazetës “Sabah” disa malësorë dhunuan ushtarët e një reparti që gjendej ndërmjet Shkodrës she Lezhës dhe vdekja e Kajmekamit të Lezhës në këtë përleshje shkaktoi keqardhje në zonë[12]. Ditën e 15 korrikut 1912 deputeti i Durrësit, Esat Pashë Toptani në fjalën që mban në Dhomën e Deputetëve (të parlamentit osman) kritikon dhunën e ushtruar ndaj familjeve të atyre që kishin dalë në mal dhe thotë se Prishtina, ku beteja kishte 3-4 ditë që vazhdonte, ishte kthyer në një kasaphanë[13]. Deputetët e tjerë shqiptarë në parlament kryengritjen e vlerësojnë si një “revoltë popullore kundër tiranisë” dhe pretendojnë se kryengritja është legjitime[14]. Në fund të fjalimeve informuese dhe debateve në të njëjtën ditë Dhoma e Deputetëve merr vendim për të dërguar në Prizren dhe Pejë reparte ushtarake të formuar nga dy divizione[15].

Në Vushtrri dhe Prishtinë ndërmjet kryengritësve dhe ushtrisë osmane zhvillohen beteja të ashpra dhe si pasojë e përleshjeve për dy ditë mbyllet çarshia dhe pazari i Prishtinës. Përreth Korçës të arratisurit qarkullojnë për të ftuar popullatën të marrë pjesë në kryengritje. Kryengritja shtypet plotësisht që në hapat e parë të fillimit të saj me mbërritjen në kohë të ushtarëve që erdhën nga Manastiri dhe Shkodra[16].

Posta e Pejës pasdreken e ditës së gjashtë të korrikut sulmohet ndërsa ishte duke kaluar brenda pyllit me arra të Lushtës në 2/3 e rrugës për në Mitrovicë dhe mbi drejtuesin e postës dhe xhandarët që e shoqëronin qëllohet 15 herë me armë[17]. Kryengritësit shqiptarë për të rrëzuar qeverinë e Said Pashës bashkë me oficerët e arratisur nga radhët e divizioneve 1 dhe 20 shkaktojnë trazira në Shkup, Prishtinë, Pejë dhe të gjithë Kosovë. Madje Isa Boletini lidh besën për të ngjitur sërish në fron Abdylhamitin II, dhe në qoftë se kjo do të jetë e pamundur, të paktën për ta bërë atë Padishah të Rumelisë[18].

Nga krahina e Prishtinës mblidhen rreth 30 mijë shqiptarë dhe bllokojnë rrugët që të çojnë në Prishtinë. Do të mbyllen edhe rrugët e Vushtrrisë, Mitrovicës, Gjilanit ndoshta edhe të Shkupit. Truri i Shqipërisë është Prishtina. Shqiptarët udhëhiqen nga personalitete si Ebubekir Efendiu nga Prishtina, Xhemal Beu (Prishtina), Hasan Pasha, Riza Gjakova[19].

Malësorët, të cilët një vit më herët kishin nisur bashkëpunimin me Malin e Zi, vihen në lëvizje. Në 29 korrik organizohen bastisje ndaj disa kullave në kufirin Tuzla-Guci dhe Shkodër-Tuz. Një pjesë e kullave pushtohen dhe merren armët e rreth 400 ushtarëve. Këtë kryengritje e pasojnë sulmet e Malit të Zi në 2 gusht. Në zonat e Mojkovaçit dhe Kolashinit ndërmjet forcave turke dhe malazeze zhvillohen përleshje me armë të mbështetura edhe me artileri[20].

Lajmet në lidhje me kryengritjen, të cilën qeveria në një qarkore që publikoi në fillim të korrikut e quan të parëndësishme por që vazhdoi duke u rritur për një muaj e gjysmë, nga mesi i gushtit fillojnë e pakësohen. Në gazetë zënë vend lajme sipas të cilave në dhjetë ditët e fundit të gushtit këto kryengritje vijnë duke u shuar. Sipas këtyre lajmeve me ‘përfundimin’ absolut të çështjes së Shqipërisë veriore (në Shkup) shqiptarët fillojnë e shpërndahen dhe kthehen në shtëpitë e tyre pa shkatërruar dhe shkaktuar dëme përreth e rrotull[21].

Gazeta “Sabah” menjëherë pas lajmit, ku bën të ditur se çështja shqiptare ka marrë fund, publikon një letër që kishte marrë po të njëjtën ditë nga Gjakova. Letra bën fjalë për rënien të krye të detyrës të kapitenit Hajri Beu. Siç shkruan letra pas përleshjes, ku mbetën të vdekur 170 shqiptarë dhe 80 ushtarë, kapiteni Hajri, mitraljeri kapiten Rifki, pushkatari Sulejman dhe doktor kapiten i rangut të parë Mustafa Beu dhe besnikët e tyre zihen rob nga kryengritësit shqiptarë. Disa ditë më vonë bie dëshmor edhe kapiten Hajri Beu[22]. Lajmet në lidhje me kryengritjet në Shqipërinë veriore vazhdojnë të vijnë edhe aty nga fundi i muajit shtator. Gazetari që ndiqte qëndresën dhe kryengritjet në Shqipëri gjatë këtij procesi, H.Cahit Yalçın zhvillimet i komenton kështu: “Problemi shqiptar çdo ditë përfundonte dhe fillonte sërish”[23]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Başkent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni.

Burimet dhe literatura kryesore:

BAYUR, Yusuf Hikmet, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991.

TUNAYA, Tarık Zafer, Türkiye’de Siyasal Partiler C.I, İkinci Meşrutiyet Dönemi (1908-1918), Hürriyet Vakfı Yayınları, İstanbul,1984.

Tümg. Abdrurrahman Nafiz ve Tuğg. Kiramettin, 1912-1913 Balkan Savaşı’nda İşkodra Savunması I. ve II. Cilt, Yayına Hazırlayanlar, Mehmet Özdemir vd.,Genelkurmay Askerî Tarih ve Stratejik Etüt Başkanlığı Yayınları, Ankara 2007.

Gazeta “Sabah”, 26 qershor 1912.

Gazeta “Sabah”, 10 korrik 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 26 qershor 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 2 korrik 1912, fq.2. No:8185.

Gazeta “Sabah”, 8 korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 17 korrik 1912, fq.1.

Gazeta “Sabah”, 23 korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 26 korrik 1912, fq.2.

Gazeta “Sabah”, 21 gusht 1912, fq.1.

[1]Banu İşlet Sönmez, II.Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007,fq. 189-190.

[2]Sönmez, po aty, fq. 190-191.

[3] Sönmez, po aty, fq.192.

[4] Yusuf Hikmet Bayur, Türk İnkılâbı Tarihi Cilt:II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1991,fq.262.

[5] Tümg. Abdrurrahman Nafiz ve Tuğg. Kiramettin, 1912-1913 Balkan Savaşı’nda İşkodra Savunması I. ve II. Cilt, Yayına Hazırlayanlar, Mehmet Özdemir vd.,Genelkurmay Askerî Tarih ve Stratejik Etüt Başkanlığı Yayınları, Ankara 2007, fq.145-150.

[6]Gazeta “Sabah”, 26 qershor 1912, fq.2. Bayur, po aty, fq.258.

[7] Bayur, po aty, fq.270-271.

[8] Bayur, po aty, fq.270.

[9]Gazeta “Sabah”, 10 Korrik 1912, fq.1.

[10]Gazeta “Sabah”, 26 Qershor 1912, fq.2.

[11]Gazeta “Sabah”, 2 Korrik 1912, fq.2. No:8185.

[12]Gazeta “Sabah”, 2 Korrik 1912, fq.2.

[13] Bayur, po aty, fq.271.

[14]Gazeta “Sabah”, 8 Korrik 1912, fq.2.

[15] Bayur, po aty, fq.275.

[16]Gazeta “Sabah”, 17 Korrik 1912, fq.1.

[17]Gazeta “Sabah”, 23 Korrik 1912, fq.2.

[18] Bayur, po aty, fq.314.

[19]Gazeta “Sabah”, 26 Korrik 1912, fq.2.

[20] Bayur, po aty, fq.315-316.

[21]Gazeta “Sabah”, 21 Gusht 1912, fq.1.

[22] Gazeta “Sabah”, 21 gusht 1912, fq.1.

[23]Tarık ZaferTunaya, Türkiye’de Siyasal Partiler C.I, İkinci Meşrutiyet Dönemi (1908-1918), Hürriyet Vakfı Yayınları, İstanbul,1984, fq.536-537.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne