Marrëveshja Shqipëri-Greqi, ministrat Bushati dhe Kotzias takohen sërish

Shefat e diplomacisë të Shqipërisë e Greqisë, Ditmir Bushati e Nikos Kotzias kanë zhvilluar një tjetër takim kokë më kokë, në kuadër të ministeralit të BE-së, Gymnich, që u mbajt në Sofie. Lajmi, i shoqëruar edhe me dy fotografi nga takimi, është publikuar nga ministria e jashtme greke. Sipas burimeve diplomatike në Athinë, Bushati e Kotzias “kanë analizuar aspektet teknike që do të duhet të ndiqen javët e ardhshme në negociatat për çështje të ndryshme që po zhvillohen ndërmjet të dy vendeve”.

Që prej nëntorit të vitit të kaluar dy ministrat e jashtëm kanë intensifikuar negociatat, me qëllim përmbylljen e gjithë çështjeve të diskutueshme. 24 orë para këtij takimi, ministri i jashtëm grek kishte deklaruar në një intervistë televizive se “para një muaji e mbyllëm me Shqipërinë gjithë paketën e çështjeve të hapura që prej 70 vitesh”.

Në të njëjtën intervistë, Kotzias kishte thënë se shpresonte që negociatat të mbërrinin një përfundim të mirë. Të dy palët synojnë që më e largta në muajin prill të nënshkruajnë marrëveshjen përkatëse, gjatë një vizite që pritet të zhvillojë në Tiranë kryeministri grek.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne