Masat ndaj koronavirusit, qeveria e Kosovës mbyll shkollat deri në 27 mars

Koronavirusi ka bërë që edhe qeveria e Kosovës të miratojë mbylljen e shkollave.

Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën mbrëma, qeveria ka miratuar masat e propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Një prej masave kryesore është ndërprerja e procesit mësimor deri më 27 mars.

Masat e ndërmarra nga qeveria e Kosovës vijojnë si më poshtë:

Është bërë edhe pezullimi i përkohshëm linjave të udhëtimit ajror dhe rrugor drejt vendeve me rrezik të lartë deri në një vendim tjetër.

Kontrolli i obliguar i udhëtarëve nga ekipet e QKMF-ve në të gjitha hyrjet-daljet e Kosovës për të gjithë udhëtarët që vijnë nga zonat e rrezikshme.

Vetkarantinim i obliguar për gjithë qytetarët që vijnë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm.

Aktivitetet publike e jopublike mund të zhvillohen të mbyllura pa praninë e publikut, si ngjarjet sportive, koncertet e konferencat deri në një vendim tjetër

Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave e pishinave pas orës 23:00.

Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me vendim të Qeverisë.

Të gjitha institucionet publike e private obligohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim, sipas udhëzimeve.

Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private, që kryejnë transport, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt te mjeteve transportuese.

Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar si me autobus e minibus drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.

Personat juridik e fizik që nuk i respektojnë dhe i shkelin vendimet, do të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, tha se me mbylljen e shkollave, fëmijët dhe të rinjtë do të synojnë të shkojnë nëpër vende tjera për t’u shoqëruar.

/Ora News

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne