Shqiperia Sociale

Me Sali Berishën kemi punuar në të zezë. Por ky as në të zezë dhe as në të bardhë…

Top-Channel ka përgatitur sot një kronikë për protestën e organizuar nga opozita duke intervistuar vetë njerëzit: Përse protestoni?

Kjo ka qenë pyetja që ka marrë shumë përgjigje. Të drejtat e mohuara, tatimet, vrasjet, përdhunimet, pra rendi në përgjithësi. Këto kanë qenë disa arsye. Por njëra ndoshta bën përjashtim që sintetizon atë që është në fakt e vërteta e madhe poshtë cipës së propagandës. Një e vërtetë që shpjegon Shqipërinsë siç është:

Pa punë, pa asgjë. Të paktën me Sali Berishën kemi punuar në të zezë. Por ky as në të zezë dhe as në të bardhë

As në të zezë e as në të bardhë. Ja formula e Shqipërisë që nuk funksionon. Nuk funksionon sepse qeveria e saj në përpjekje për të bërë shtet, sipas imagjinatës së vet, mohon dhe ndoshta refuzon që të ndërtojë paqen sociale në këtë vend.

Ose ka zhvillim dhe ka punësim dhe bie tensioni, ose qeveria toleron disa gjëra në këmbim të frymëmarrjes së përgjithshme.

Kjo është padyshim edhe çështje psikologjike, por psikologjia sa vjen e rëndohet kur kryeministri në vend të komunikimit dhe shpjegimit zgjedh të bëjë pedagogun e shoqërisë:

Punë ka, mungojnë profesionistët.

Ose

Shqiptarët ikin sepse janë hapur kufijtë.

Ja që ka edhe shqiptarë që protestojnë dhe kanë në kokë një të vërtetë shumë të thjeshtë: dua të jetoj. Dhe që të jetoj dua të punoj. Se para stomakut nuk vjen asgjë. Duhet punë. Punë ka vetëm në fjalime, puna blihet me tesera. Puna është për ekselentët, puna është me konkurs…Mund të vazhdohet pa fund, por duket se përtej të drejtës që ka qeveria dhe kryeministri kur flet për këtë çështje, ata po përballen me një filozofi jete në këtë vend.

Punë e zezë dhe punë e bardhë, sepse ndryshe nuk I dilet me një rrogë.

Qeveria mund të ketë dëshirë ta bëjë Shqipërinë Danimarkë, por duhet të hapë mirë sytë e mendjes dhe të shohë se Danimarkë, apo Firence janë bërë vetëm shtëpitë e qeveritarëve, jo Shqipëria që vazhdon të jetë ajo që ishte.

OPINIONE