Shqiperia

Me zë dhe figurë, çfarë u premtonte Rama banorëve të Astirit në 2013-ën

Sot banorët e Astirit janë futur në ditën e 15-të të protestës kundër shembjes së banesave të tyre, për shkak të projektit të “Unazës së Madhe”, ndërsa po u mbaron afati që autoritetet u kanë lënë për t’u larguar.

Pavarësisht thirrjeve të këtyre banorëve që ia kujtojnë, kryeministri Rama duket se e ka harruar premtimin që u ka bërë më 22 maj të vitit 2013-të, në kulmin e fushatës që e solli në pushtet.

Pikërisht në këtë datë, në një takim me banorët e njësisë Nr. 6, njësi të cilës i përkasin jo vetëm banorët e Kombinatit por edhe Astirit, Rama tha që shtëpitë nuk do të prisheshin gjithsesi, ndërsa u premtonte atyre zgjidhjen e problemit të legalizimit duke përdorur dhe shprehjen që ishin “investime të bëra me gjak”.

“Kështu që kjo çështje është njësoj si gjithë të tjerat. Ne e kemi marrë angazhimin. Do bëjmë një proces serioz, ta mbyllim këtë histori se nuk është vetëm puna e legalizimit që mos të prishet shtëpia, se shtëpitë nuk prishen gjithsesi. Puna është që ato janë kapitale të vdekura, se janë investime të bëra me kursime me gjak”, janë fjalët që kryeministri Rama përdor.

Kështu që nëse shumë njerëz vrisnin mendjen se nga vjen shprehja e banorëve të Astirit që “do t’i mbrojmë shtëpitë me gjak”, mjafton vetëm të dëgjojnë këtë pjesë të deklaratës së Ramës gjatë fushatës, kur ishte ende në opozitë.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Repolitix” një javë më parë, Rama duket se nuk e mbante mend këtë premtim, ose ka bërë sikur e ka harruar dhe thoshte që banesat janë të paligjshme sepse janë të palegalizuara, duke ua prerë shkurt që me banorët e Astirit nuk ka negociata.

“Ligjet janë të qarta, patjetër ka familja ka biznese kudo ka pasur kudo ka prevaluar interesi publik, për ata që kanë pronën të ligjshme ka kompensim sipas ligjit, ata që se kanë u jepet nga paratë e taksapaguesve një bonus qiraje për tre vite, për tre vite i paguan shteti qiranë derisa të gjejnë strehim. Shtëpia që u prishen është e paligjshme”, janë fjalët e Ramës.

OPINIONE