Rajoni

Mediat greke këmbëngulin në idenë e ndërhyrjes turke për marrëveshjen e kufirit detar Shqipëri-Greqi

Athina është treguar optimiste se mosmarrëveshjet mbi 70-vjeçare do të zgjidhen përfshi këtu edhe çështjen e kufirit detar dhe Zonave Ekskluzive Ekonomike. Ajo që nuk pritej ishte qëndrimi i Ilir Metës për të penguar avancimin e bisedimeve. Arsyet sipas Athinës lidhen me luftën e brendshme politike në Tiranë, sesa me defekte apo mangësi që mund të ketë procesi në vetvete.

Seksioni i CNN në gjuhën greke i ka kushtuar një kronikë zhvillimeve që kanë të bëjnë me ndarjen e  Zonave Ekskluzive Ekonomike mes Greqisë e Shqipërisë dhe Turqisë e Qipros. Në të dyja rastet theksohet implikimi i Ankarasë për të bllokuar zgjidhjet e mosmarrëveshjeve. Sipas ish-ambasadorit grek në Tiranë, Aleksandos Malias, Erdogan kishte dorë në rrëzimin e marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa në parashtrimin që gazetarët e CNN Greece i bëjnë situatës aktuale, bllokimi ka të bëjë me një shërbim që Ilir Meta po i bën opozitës së vendit në këtë rast dhe më konkretisht Sali Berishës.

“Presidenti i Shqipërisë vjen nga radhët e opozitës dhe duke marrë shkas nga bisedimet për delimitimin e zonave detare përplasja me qeverinë shqiptare në parlament është ashpërsuar”– thuhet në kronikën e CNN.

Mediat raportuan këtë të hënë për një takim mes Presidentit të vendit, Ilir Meta dhe ambasadores së Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani. Në fokus të takimit mendohet të ketë qenë refuzimi i zotit Meta për t’i dhënë ministrit Bushati autorizimin për nisjen e negociatave me palën greke, por asnjë prej palëve nuk ka dhënë shpjegime për temën e bisedës. Të martën ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias do të raportojë në parlament për ecurine e bisedimeve me Shqipërinë dhe çështjen e Qipros.

http://www.cnn.gr/ereynes/video/9583/epicenter-apo-to-ionio-mexri-tin-an…

OPINIONE