Behar Kaceli
Ka qenë njëri nga nipat e sadrazemit Ajas Pasha nga Vlora. Duke genë dervish mevlevi, fitoi gradën Dede (kryegjysh). Fenni u shqua jo vetëm si mjeshtër i madh i poezisë, por edhe si hattat (bukurshkrues), piktor dhe muzikant i talentuar. Një kaside që ia kushtoi Fadil Ahmed pashë Kypryliut, sadrazem gjatë viteve 1661- 1676, i hapi rrugën, qysh në rini, që të hynte në radhën e nëpunësve të Portës së Lartë. Ndërsa zbulimi i talentit të tij për artin e zbatuar dekorativ, dhe sidomos për pikturën, erdhi në shprehje gjatë kontakteve të tij me piktorin frëng, Vanmur (Jean-Batist Vanmour (1671-1737), i cili në kohën e mbretërimit të Ahmetit III (1703- 1730) më se tridhjetë vjet qëndroi në Stamboll, duke pikturuar dhe portretizuar personalitete të ndryshme në pallatin sulltanor.
Burime të ndryshme konfirmojnë prirjen e Fenni Dedes për artin muzikor. Shpirti i tij prej artisti të mirëfilltë, i dhënë me përkushtim kah fjala artistike, pamja artistike dhe zëri artistik, e bënë të denjë për t’u cilësuar me pseudonimin poetik “Fenni”, që do të thotë, ar- tist, mjeshtër. Para Fenni Dedes, piktor i njohur ka qenë shqiptari Miskâli Shkupi (Üsküplü Miskâli), i njohur edhe si Miskâli Bihzad (vd. 1653). Ndërsa nxënësi i Fenniut ka qenë piktori dhe poeti shqiptar Dervish Ahmed “Fâsih” Dukagjini (vd. 1699).
Fenni një kohë ka punuar sekretar i xhizjes (haraçit). Vitet e fundit të jetës i ka kaluar i izoluar në Rumelihisar, ku edhe ka vdekur në vitin 1715. Mehmed Fenni Dedeja ka lënë dy vepra poetike. Njëra mban titullin “Sahil-name” dhe është botuar, kurse vepra tjetër “Divani”, ka mbetur në dorëshkrim. Poezitë i ka me plot urtësi e misticizëm dhe janë shkruar në një gjuhë të rrjedhshme dhe elokuente.
* Nehat Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shek. 18 deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare, Instituti Albanologjik, (Prishtinë 2023): 337./fb


















