Bota

Merkel apelon për qasje “të ekuilibruar” të BE-së ndaj Turqisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë thirrje për një politikë të ekuilibruar ndaj Turqisë para një samiti kyç të liderëve të Bashkimit Evropian (BE) që do të fillojë gjatë ditës së nesërme.

Duke u adresuar para ligjvënësve gjatë një debati të buxhetit të mbajtur sot, Merkel shprehu shqetësime rreth tensioneve të fundit midis Turqisë dhe anëtarëve të BE-së, Greqisë dhe Qipros Greke. Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Turqinë për çështje me interes të përbashkët.

“Turqia është partneri ynë në NATO. Arritjet e Turqisë në strehimin e refugjatëve janë me të vërtetë të mahnitshme dhe të jashtëzakonshme, ndoshta ajo po strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë”, theksoi Merkel, duke shtuar se pothuajse 4 milionë refugjatë sirianë jetojnë në Turqi.

Gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhen në Bruksel liderët e BE-së për një samit dy-ditor që do të përqendrohet në çështjet ndërkombëtare, tensionet e fundit në Mesdheun Lindor dhe të ardhmen e lidhjeve midis BE-së dhe Turqisë.

Kancelarja gjermane theksoi se marrëdhëniet BE-Turqi janë shumë-planëshe, duke mbuluar fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Ajo theksoi se qeveria e saj nuk do të mbështesë thirrjet nga Greqia dhe administrata greke qipriote për të imponuar sanksione të forta kundër Ankarasë.

“Ne duhet të vlerësojmë me shumë kujdes se si mund të kontribuojmë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por po ashtu se si mund të gjejmë një mënyrë për të forcuar bashkëpunimin tonë”, tha Merkel.

“Ne duhet të ribalancojmë marrëdhënien tonë me Turqinë, por gjithashtu të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në shumë fusha të rëndësishme”, shtoi Merkel./AA

OPINIONE

INTERVISTA