Merkel: Marrëveshja BE-Britani nuk do të rihapet

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka theksuar sot se marrëveshja e arritur mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe nuk do të rihapet, ndërsa një ndihmës i Jean-Claude Juncker ka thënë se BE-ja nuk është e gatshme të japë garanci ligjore për kufirin me Irlandën.

Merkel tha se ajo është e vendosur të bëjë gjithçka për ta shmangur largimin e Britanisë së Madhe pa marrëveshje, duke shtuar se kjo gjë mund të arrihet nëse të gjitha palët shfaqin vullnet të mirë.

Megjithatë, ajo tha se ndryshimet e marrëveshjes aktuale nuk janë në agjendë.

Në anën tjetër, njëri nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, Martin Selmayr, e ka refuzuar idenë se blloku mund t’i japë garanci ligjore Britanisë së Madhe për kufirin me Irlandën.

Ai gjithashtu e kërcënoi tërthorazi Britaninë, duke theksuar se BE-ja është përgatitur mirë që në dhjetor të vitit të kaluar në rast të ndarjes pa marrëveshje.

Deklaratat e ashpra të zyrtarëve evropianë vijnë para fjalimit të nesërm të kryeministres britanike, Theresa May, në Irlandën Veriore.

Besohet se ajo do të zotohet për arritjen e një marrëveshjeje që shmang kontrollin kufitar në Irlandë.

Ajo i ka ftuar edhe deputetët britanikë që të bëhen pjesë e diskutimeve për gjetjen e zgjidhjes.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne