Merkel, Putin dhe Macron arrijnë në Stamboll për samitin katërpalësh

Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron arritën në Stamboll për të marrë pjesë në samitin katërpalësh rreth krizën në Siri, i cili do të fillojë sot në mikpritje të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Еrdoğan.

Samiti, i cili mbahet në Rezidencën Vahdettin në Stamboll, synon konsolidimin e armëpushimit në Idlib dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri.

Turqia, Gjermania, Franca dhe Rusia do të diskutojnë në samit për zhvillimet në terren, situatën në Idlib pas marrëveshjes së Soçit dhe zgjidhjen politike në kuadër të platformave të Astanas dhe Gjenevës.

Pjesëmarrës në këtë takim do të jetë edhe përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura.

Për herë të parë samiti do të tubojë përfaqësuesit e platformës së Astanas dhe ata të “grupit të vogël” të themeluar në Gjenevë nga de Mistura. Më herët, Mistura në Gjenevë ka diskutuar formimin e komitetit kushtetues me përfaqësuesit e dy platformave.

Mbajtja e samitit fillimisht ishte njoftuar më 29 korrik nga presidenti Erdoğan, kur po diskutohej gjerësisht mundësia e një katastrofe humanitare në rajonin verior sirian të Idlibit.

Në atë periudhë, regjimi i Bashar al-Asadit dhe mbështetësit e tij filluan të tuboheshin rreth Idlibit, pasi fillimisht kishin marrë nën kontroll përmes bllokadave dhe dëbimit pjesën qendrore dhe jugore të vendit.

Gjatë periudhës në fjalë, Turqia përshpejtoi përpjekjet diplomatike për të parandaluar masakrën apo dëbimin e katër milionë civilëve në Idlib.

Më pas, pas ftesës për Francën dhe Gjermaninë, samiti u njoftua se do të organizohet më 7 shtator, mirëpo në atë kohë do të realizohej samiti i tretë që mbahej midis Turqisë, Iranit dhe Rusisë në Teheran.

Pas një propozimi të Erdoğanit në samitin e Teheranit, ai së bashku me homologun rus Vladimir Putin ranë dakord më 17 shtator në Soçi për një sërë masash shtesë për ta ruajtur armëpushimin në Idlib.

Erdoğan dhe Putin u dakorduan që deri më 15 tetor të formohet një zonë të çmilitarizuar me një linjë prej 15-20 kilometrash, e cila do të kontrollohet nga ushtarët turq dhe rusë.

Në një deklaratë më 23 tetor, Erdoğan ka shprehur shpresë që samiti të jetë një hap serioz për arritjen e paqes në Siri.

Gjatë procesit, Turqia ka kontribuuar në balancimin e rolit të shteteve të Bashkimit Evropian dhe atij të Rusisë dhe Iranit për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në Siri.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne