Shqiperia

Meta përkujton hapjen e Xhamisë së Plumbit: O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët

Ditën e sotme Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar rihapjen para 30 -vjetësh, të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, të parës xhami të hapur pas rrëzimit të regjimit totalitar.

Faljen e parë historike e mbajti i nderuari Hafiz Sabri Koçi para 50 mijë besimtarëve myslimanë.

Meta ka shprehur konsideratën më të lartë për Hafiz Sabri Koçin dhe ka cituar një thënie madhështore të tij kundër hakmarrjes.

Po ashtu, ka publikuar një foto me Mysfiun e Shkodrën, Muhamed Sytarin, i cili ndodhet sot i sëmurë nga COVID në një nga spitalet e Turqisë, bashkë me babanë e tij po ashtu të infektuar. Presidenti e nis mesazhin e tij me vargun e famshëm nga kurani.

Postimi:

“E, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” Kuran, El-Inshirah:5

Rihapja, 30 vite më parë, e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, është një ngjarje historike për komunitetin mysliman dhe për mbarë popullin shqiptar, që kujton sot një ditë të rëndësishme të rikthimit të lirisë së besimit dhe së drejtës së shprehjes, të mohuara për dekada terrori.

Regjimi totalitar ateist e goditi egërsisht dhe e ndaloi fenë, shkatërroi objektet e kultit, persekutoi klerikë dhe besimtarë, por nuk mundi të mposhte besimin e shqiptarëve te Zoti.

Me ndryshimet demokratike, myslimanët shqiptarë rifituan liritë fetare dhe, me në krye udhëheqësin e ndritur Hafiz Sabri Koçi, ringritën nga hiri institucionet e kultit.

Shpreh respektin dhe vlerësimin tim për jetën e veprën, si dhe ju bashkohem lutjeve për shpirtin e këtij kleriku të nderuar e të paharruar, për bashkëpunëtorët e tij, si dhe për të gjithë rininë e qytetarët e Shkodrës, të cilët në 16 nëntor 1990 sfiduan me kurajë diktaturën dhe rikthyen shpresën tek besimtarët.

Frymëzuese do të mbetet përherë lutja e Hafiz Sabri Koçit, i cili edhe pse kaloi një kalvar vuajtjesh në burgjet komuniste për gati dy dekada, nuk bëri kurrë thirrje për hakmarrje, por na mësoi: “O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët me zullumqarët, njëri me tjetrin, të paguajnë hakun ndërmjet tyre.”

Mirënjohje për të gjithë klerikët myslimanë shqiptarë, simbole të përkushtimit ndaj Atdheut e idealeve kombëtare, vlerave hyjnore e njerëzore, të cilët përgjatë gjithë historisë kanë dhënë, me shumë sakrifica, një kontribut të vyer në drejtim të çështjes shqiptare, lirisë, demokracisë dhe forcimit të shtetit modern shqiptar./Tpz

OPINIONE

INTERVISTA