Meteorologët parashikojnë shira, Olta Xhaçka çon ushtrinë në veri

Ushtria shqiptare mund të jetë e vetmja ushtri e NATO-s, ku komandën reale nuk e kanë gjeneralët, por meteorologët. Duke qenë se armiqtë kryesorë janë shirat, që shkaktojnë përmbytje në të gjithë vendin, është krejt normale që komandën ta marrin parashikuesit e motit. Për ditën e sotme parashikohej të kishte reshje në të gjithë vendin gjatë paradites, por përqëndrimin më të madh, shirat do ta kenë në veri, aty ku ka një situatë përmbytjeje në zonën e Obotit në Shkodër.

Nisur nga ky parashikim, për momentin ushtria shqiptare i ka sytë në Shkodër. Në një njoftim  të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë paradites thuhej se “niveli i ujit në rrugë është rreth 70 cm. Ka nisur transportimi i banorëve të Obotit me mjete të kalueshmërisë së lartë, kryesisht nxënës shkolle dhe banorë nga fshati Obot për në Oblikë. Gjatë 24 orëve të ardhshme priten sërish reshje të dendura. Forcat e Armatosura kanë masa më efektive dhe mjete për të qenë në gatishmëri për cdo situatë të mundshme gjatë ditëve në vijim”.

Lufta me shirat nuk është e re për ushtrinë shqiptare. Përmbytjet janë një problem tashmë prej dekadash. Rilindja kishte premtuar t’i jepte fund njëherë e mirë përmes investimit në kanalet kulluese, por siç rezulton, ka zgjedhur t’ijapë të njëjtën zgjidhje si qeveritë e kaluara, që të çojë ushtarët sa herë që meteorologët parashikojnë reshje shirash.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne