Motra e Egli Progës ka reaguar lidhur me deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, i cili në një reagim në rrjete sociale lidhur me ngjarjen e Policit në Tiranë përmendi edhe vrasjen e Egli Porgës në qytetin e Pogradecit.
Ministri Hoxha duke i paralelizuar këto ngjarje me njëra-tjetrën u shpreh se të tilla raste tentohen të fryhen e sipas tij të hidhen aludime për banda inekzistente.
Por kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga motra e Egli Progës e cila në një reagim në rrjete sociale shkruan se ministri nuk mund të tallet me vrasjen e vëllait të saj, ndërsa ka akuzuar se policia nuk kap kriminelët por lejon që provat të zhduken.
“Ti, Ervin Hoxha, që përdhos kujtimin e vëllait tim dhe ngjarjen tragjike të Pogradecit, dëgjo zërin e një motre që vajton çdo ditë për humbjen e tij dhe kërkon drejtësi. Vëllai im u masakrua nga një bandë gjobëvënësish me lidhje në polici dhe drejtësi. Policia jote dështoi të kapte në flagrancë kriminelët, nuk izoloi vendin e ngjarjes dhe la autorët të zhduknin provat. Si mund të mbrosh një strukturë që lejonte krimin të ndodhte live në sytë e saj?”, shkruan ndër të tjera ajo në reagimin e saj.