Shqiperia

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë përgënjeshtron Edi Ramën: Negociatat me Shqipërinë mund të fillojnë në 2019-n

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka hequr çdo dyshim sa i përket vendimmarrjes së Bashkimit Evropian për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Ndryshe nga sa pretendon kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri gjerman konfirmon se nuk ka një datë për negociatat dhe aq më pak që ato të jenë hapur, por thekson se ky hap mund të hidhet në 2019-n nëse plotësohen kushtet.

“Bashkimi Europian këtë javë ka marrë një vendim të rëndësishëm: Duke filluar nga viti 2019 mund të fillojnë bisedimet me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, ka thënë Maas për ‘DW’.

Deklarata e ministrit Maas është e qartë kur ai thotë se negociatat mund të hapen, pra një vendim për këtë çështje nuk është marrë pas vetos së Francës, Holandës dhe Danimarkës, të cilat bllokuan procesin pasi janë të pakënaqura me punën e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ne jemi angazhuar shumë për këtë sinjal të fortë dhe udhërrëfyes, përmes të cilit vlerësohen arritjet e reformave në vitet e fundit. Procesi i negociatave në Bruksel nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, por ne jemi të gëzuar, që në fund u  bë i mundur një kompromis i të gjitha 28 vendeve anëtare të BE-së. U bëj thirrje politikanëve në Tiranë dhe në Shkup, që këtë sukses ta vlerësojnë si një stimul për të vazhduar me impenjim reformat. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht në këtë drejtim”, ka thënë më tej Heiko Maas.

Qëndrimi i ministrit të Jashtëm të Gjermanisë përgënjeshtron deklaratat e bëra deri më tani nga kryeministri Rama, i cili flet për vendim historik për hapjen e negociatave.

OPINIONE