Ministri Kotzias flet për nxënësin shqiptar që veshi bluzën e “Shqipërisë së Madhe”

Ministri i  Jashtëm Nikos Kotzias ka komentuar lidhur me rastin e nxënësit shqiptar në Kretë që u shfaq në një orë mësimi me bluzën e “Shqipërisë së Madhe”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të një deputeti, ministri Kotzias e konsideroi një rast të izoluar dhe se kjo ngjarje nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Megjithatë ai shtoi se është rasti i parë që një gjë e tillë ndodh në prani të diplomatëve shqiptarë në Greqi.

“Ministri shqiptar për diasporën, Pandeli Majko, gjatë vizitës së tij të fundit në vendin tonë, u takua me ministrin e punëve të brendshme, dhe ka dhënë shpjegime për incidentin në Kretë, duke specifikuar se ky është një rast i izoluar dhe nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ne i kemi bërë të qartë palës Shqiptare përmes ambasadës së tyre këtu se presim që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen”, u shpreh ministri grek Kotzias.

Kotzias i referohet rastit të dy muajve më parë kur në Xania të Kretës nisën kurset në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë që jetojnë në atë zonë. Në orën e parë të kursit shqip në Kretë, ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës Shqiptare, ku ndodhi ky incident.

Kotzias theksoi se fëmija në fjalë dhe asnjë fëmijë tjetër nuk duhet të vihet në shënjestër për faktin se veshi një bluzë të “Shqipërisë së Madhe”.

“Themeli i politikës sonë të jashtme është bashkëjetesa e qetë sociale brenda saj”, tha ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne