Shqiperia

Mirëmbajtja e TAP, “Albgaz-it” i hapet rruga të negociojë me partner privat

“Albgaz” do të negociojë me partner privat për krijimin e një shoqërie të përbashkët në mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), i cili ka përfunduar tashmë mbi 2/3 e punimeve për shtrimin e tubacioneve në territorin e vendit.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, “Partner privat” është ofertuesi i shpallur fitues i procedurës konkurruese për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të ndërtuar që është dhe nën pronësinë e Trans Adriatic Pipeline AG në territorin e Republikës së Shqipërisë, Operatori Italian i Transmetimit të Gazit Natyror, SNAM s.p.a, me të cilin shoqëria “Albgaz”, sh.a, do të krijojë një shoqëri të përbashkët të inkorporuar në formën ligjore, sipas parashikimeve të ligjit për shoqëritë tregtare.

Komisioni i negocimit të marrëveshjes me partnerin privat të përzgjedhur, me të cilin do të krijohet shoqëria e përbashkët e inkorporuar, ngrihet me urdhër të ministrit që përfaqëson Asamblenë e Aksionerit të Vetëm dhe përbëhet nga shtatë anëtarë. Anëtarë të këtij grupi janë dy përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dy përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit, si dhe dy përfaqësues nga shoqëria “Albgaz”, sh.a. Kryetar i grupit është administratori i shoqërisë “Albgaz”, sh.a.

Vendimi citon se, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, titullarët e institucioneve dërgojnë emrat e anëtarëve përfaqësues në këtë komision në shoqërinë “Albgaz”, sh.a.

Procedurat e negocimit përfundojnë jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.

Shoqëria “Albgaz”, sh.a., pas negocimit të kontratës së partneritetit kërkon miratimin e shoqërisë Trans Adriatic Pipeline AG, duke paraqitur raport të detajuar për negociatat për të gjitha elementet e marrëveshjes me ofertuesin e përzgjedhur, përfshirë projektin përfundimtar të marrëveshjes për krijimin e shoqërisë të përbashkët të inkorporuar në formën ligjore të shoqërisë aksionare.

OPINIONE