Miti i rremë i diktatorit modernizues

nga Robert Kagan.

Shumë amerikanë joshen në mënyrë të çuditshme nga ideja e autokratit reformues, politikanit të fortë  që mund të “modernizojë” dhe të udhëheqë kombin e tij, për ta larguar nga e kaluara e prapambetur dhe e largët. Kështu u shpresua se do të ishte edhe Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, i Arabisë Saudite, një shpresë që tani është tkurrur nga dyshimi se ai udhëruar vrasjen e opinionistit të “Washington Post”, Jamal Khashoggi, në Turqi.

Simpatizantët amerikanë e patën parë princin Mohammed, ose MBS siç njihet, si një figurë transformuese që kërkonte reformimin e ekonomisë saudite dhe pajtimin e islamit me modernitetin. Nëse kjo kërkonte  më shumë dhe jo më pak kontroll diktatorial, nëse kjo do të kërkonte burgosjen jo vetëm të pjesëtarëve të familjes mbretërore por edhe aktivisteve të të drejtave të grave, figurave fetare të moderuara, madje edhe ekonomistëve të rinj që ngritën pikëpyetje mbi shifrat e dyshimta të programit të tij “Vizion 2030”, atëherë le të ishte kështu. Vetëm një “revolucion nga lart” mund të mbante premtimin e reformimit të asaj shoqërie të ndrydhur dhe tradicionale. Në fund të fundit, duhen vezë për të bërë omëletë.

Kjo metaforë nuk është e re. Gjatë viteve 1920-1930, Benito Musolini, Jozef Stalini dhe Adolf Hitleri u panë nga shumë amerikanë si njerëzit që i duheshin vendit të tyre për ta çuar përpara. Gjatë Luftës së Ftohtë, liderë të ndryshëm, përfshirë edhe Ferdinand Marcos-in e Filipineve, Mohammad Reza Pahlavin e Iranit, Park Chung-hee e Koresë së Jugut dhe Augusto Pinoçetin e Kilit u panë në SHBA si diktatorët e preferuar modernizues. Në epokën pas Luftës së Ftohtë, diktatura në Kinë fitoi admirimin e shumë amerikanëve për mënyrën efektive me të cilën menaxhoi ekonominë e vendit.

Justifikimi i kësaj simpatie për diktatorët ka njohur disa variacione të asaj që quhet teori e modernizimit. Shoqëritë në zhvillim, ishte argumenti kryesor, duhet të kalojnë përmes një faze autoritare para se të bëhen demokraci të mirëfillta, kjo për arsye ekonomike dhe politike. Vetëm qeverisjeve autoritare mund t’u besoheshin vendimet e duhura për ekonominë, pasi nuk shqetësoheshin nga presionet popullore për shpenzimet deficitare dhe inflacionin.

Për më tepër, shoqërive joperëndimore supozohej se u mungonin shumë elementë bazë të domosdoshëm për demokracinë e qëndrueshme: sundimi i ligjit, insitucionet politike solide, klasa e mesme dhe një shoqëri civile aktive. Nxitja e demokracisë në këto shoqëri do të prodhonte në mënyrë të parakohshme një “demokraci joliberale” dhe radikalizëm. Roli i një autokrati reformues ishte ai i përgatitjes së këtyre shoqërive për tranzicionin eventual drejt demokracisë, duke krijuar fillimisht themelet e liberalizmit.

Gjatë viteve ’60, politologu Samuel P. Hountington argumentoi se ajo për të cilën shoqëritë në modernizim e sipër kishin nevojë ishte sundimi dhe jo liria. Në fund të viteve ’70, Jeanne Kirkpatrick e përdori këtë argument në mbrojtje të mbështetjes për diktaturat “miqësore” të djathta –  në teori ato mund të lulëzonin në demokraci nëse SHBA-të do t’i mbështesnin përballë kundërshtarëve, por do t’u hapnin rrugë qeverive radikale komuniste nëse Amerika e tërhiqte këtë mbështetje.

Është e jashtëzakonshme sesa pushtet mbartin këto lloj argumentesh, pavarësisht se kanë rezultuar kryesisht pa kuptim. Kirkpatrick pa krejtësisht të kundërtën. Qeveritë komuniste ishin ato që ndërmorën reforma të cilat çuan në çrrënjosjen e tyre dhe në kthesën drejt demokracisë, sado e dobët ishte kjo e fundit. Ndërkohë, autoritarizmi vijoi në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, përveç rasteve kur Shtetet e Bashkuara e tërhoqën mbështetjen e tyre, si në Filipine, Kore të Jugut dhe Kili; vetëm në atë moment ato u bënë demokraci.

Siç rezultoi në praktikë, diktaturat nuk bëjnë më shumë për të prodhuar rritje ekonomike. Dhe rritja ekonomike nuk është provuar si sekreti i demokracisë. U bë një çerek shekulli që presim, që rritja ekonomike kineze, e cila ka krijuar një shtresë të mesme të qëndrueshme, të çojë në mënyrë të pashmangshme drejt një hapjeje më të madhe politike. Megjithatë, trendi ka shkuar në drejtimin e kundërt, ndërsa sundimtari kinez Xi Jinping e përqendron gjithnjë e më shumë pushtetin në duart e veta dhe qeveria eksperimenton me metoda gjithnjë e më të detajuara kontrollin politik dhe social.

Ndërsa përsa i përket “autokratit liberalizues”, në të vërtetë ai rezulton të jetë një krijesë e rrallë. Autokratët, siç ndodh gjithmonë, nuk duan të hedhin themelet e rënies së tyre. Ata nuk krijojnë institucione të pavarura politike, nuk nxisin sundimin e ligjit apo mirëfunksionimin e shoqërisë civile, pikërisht sepse këto do të vinin në rrezik qëndrimin e tyre në pushtet. Në vend të kësaj, ata përpiqen t’i shkatërrojnë institucionet dhe forcat opozitare që në të ardhmen mund të kthehen në sfidë për sundimin e tyre diktatorial. Pse duhet të presim diçka tjetër?

Megjithatë, ne sërish e bëjmë këtë, dhe kjo për një sërë arsyesh. Disa janë thjesht raciste. Ashtu si imperialistët racisttë të shekullit XIX, ne supozojmë se disa njerëz nuk janë gati për demokracinë, ose se traditat e tyre fetare ose historike nuk i kanë përgatitur ato për demokraci. Një arsye tjetër buron nga pakënaqësia me “rrëmujën” e demokracisë sonë. Ekziston një dëshirë e dukshme e fortë për njeriun e fortë që mund të çajë përmes absurditetit politik dhe të bëjë gjërat – një dëshirë e zjarrtë me të cilën presidenti ynë i tanishëm di të luajë në mënyrë shumë efektive.

Pastaj ekziston edhe frika jonë në lidhje me atë që demokracia mund të prodhojë diku tjetër. Gjatë Luftës së Ftohtë, kërkesa ishte e madhe për më shumë drejtësi ekonomike dhe sociale dhe ndoshta në kurriz të investimeve të SHBA-ve, por sot ka kërkesë për një shoqëri dhe politikë më në harmoni me mësimet islame. Ne i druhemi asaj që mund të zgjedhin njerëzit që janë të lirë të zgjedhin, kështu që preferojmë “revolucionin nga lart”.

Sigurisht këtu janë në lojë edhe interesat tona strategjike. Ne më parë kemi kërkuar aleatë kundër Bashkimit Sovjetik, tani duam aleantë kundër Iranit. Ajo që zbuluam gjatë Luftës së Ftohtë dhe sidoqoftë po e rizbulojmë sot, është se këta aleatë të supozuar mund të mos jenë ata që ne kishim shpresuar. Metodat e tyre të veprimit me kundërshtarët mund të krijojnë opozita akoma më radikale, duke e bërë kështu revolucionin më të mundshëm. Në Egjipt dhe në Arabinë Saudite, duke parë atë që ka ndodhur kohët e fundit, mund të arrijmë në përfundimin se mbështetja e diktatorëve atje ka prodhuar pikërisht rezultatin që ne donim të shmangnim. Për më tepër, armët që ne iu lutëm t’i blinin te ne do të përfundojnë në duart e radikalëve nga të cilët ne kishim menduar se do të na shpëtonin.

Sot, mbështetësit amerikanë të princit të kurorës saudite po pyesin veten si ka mundësi që kanë qenë kaq të pamend, nëse, siç edhe ka dyshime të forta, ai ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi. Por cilët janë budallenjtë në gjithë këtë? Diktatorët bëjnë atë që të gjithë e dimë. Ne jemi ata që jetojnë me fantazinë se kemi krijuar diçka, e cila në fund të fundit mund të kthehet e të na kafshojë. /Nytimes

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne