Mizoria ndaj turqve qipriotë në histori

Pavarësisht politikave të grekëve qipriotë për spastrimin e turqve nga ishulli, dhunës sistematike të ndjekur ndaj tyre nga pjesëtarët e EOKA-s, turqit e Qipros mbijetuan dhe nuk hoqën dorë nga dëshira për të bashkëjetuar me komunitetin grek të ishullit.

Nga Dr. Erhan TÜRBEDAR*

Mes viteve 1963 dhe 1974 grekët qipriotë ushtruan një masakrim të programuar ndaj turqve qipriotë. Popullata civile turke që jetonte në fshat u ekzekutua dhe u gropos në varre masive pa bërë dallime në të moshuar, gra e fëmijë. 103 fshatra turq u shtypën dhe u shkatërruan; me mijëra turq u detyruan të shpërnguleshin në zona më të sigurta. Shumë qipriotë turq ose u vranë gjatë rrugës nëpër pusi, ose u përfshinë në listën e personave të zhdukur. Qëllimi i të gjitha këtyre ka qenë bashkimi i Qipros me Greqinë. Prandaj, u ndoqën politika të vetëdijshme për spastrimin e ishullit nga turqit.

E kaluara e mizorisë së grekëve të Qipros në ishull zgjatet deri në vitet 1820. Ndërmjet viteve 1820–1821 grekët qipriotë kishin sulmuar shumë zona të banuara kryesisht nga turqit, ata kishin ndërmarrë masakra dhe në disa vendbanime kishin kryer edhe masakra. Në vitin 1878, kur Qiproja kaloi në duart e anglezëve, u krijua një mjedis i ri për mizoritë e grekëve qipriotë. Sepse politikat e standardeve të dyfishta që ndoqën anglezët kundër turqve ishin të tilla që i shtynin grekët qipriotë të mendonin për bashkimin e ishullit me tokat greke (Greqinë). Si pengesë më të madhe për realizimin e bashkimit të Qipros me Greqinë grekët qipriotë shikonin turqit e Qipros. Dhe si përfundim sipas grekëve qipriotë turqit duheshin asgjësuar me një masakër masive. Tentativat e para në këtë drejtim u bënë në vitin 1912, kur grekët qipriotë sulmuan turqit në vendbanimin e njohur sot me emrin Hamitkoy. Si pasojë e këtij sulmi mbetën të vdekur 4 vetë, si dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë. Ngjarje të ngjashme me këtë u përsëritën edhe në vitet 1927 dhe 1931.

Ndërsa masakrat më sistematike ndaj turqve qipriotë nisën me krijimin në vitin 1955 të Organizatës Kombëtare të Luftëtarëve Qipriotë (EOKA), qëllimi i të cilës ka qenë bashkimi i Qipros me Greqinë. Në fillim pjesëtarët e EOKA-s bashkë me turqit vrisnin edhe anglezët. Ndërsa më vonë qëllimi kryesor i EOKA-s ishte zhdukja e ekzistencës turke në ishull. Turqit qipriotë tani i prisnin ditë të vështira. Pjesëtarët e EOKA-s turqit i vrisnin duke u ngritur pusi, sulmonin fshatrat turke. Për shembull në periudhën 1956-1960 u vranë turqit e pafajshëm dhe të pambrojtur që banonin në vendbanimet e njohur me emrat: Vasilya, Litrangomi, İnönü, Aytotoro, Mağusa dhe Larnaka. Vetëm brenda periudhës 1955-1958 EOKA masakroi me qindra turq qipriotë, ndërsa rreth 1.350 turq i detyroi të mërgojnë.

Grekët e ishullit dhe ata të kontinentit (Greqisë) mendonin se para bashkimit të ishullit me Greqinë në fazën e parë duhej krijuar në shtet grek i Qipros. Për këtë arsye iu tha “Po” krijimit me marrëveshjet e viteve 1959-1960 të një “Republike të Qipros”, të bazuar në barazinë politike ndërmjet dy palëve të barabarta politikisht në Qipro. Turqia, Anglia dhe Greqia morën përsipër rolin e vendit garantues të kësaj republike.

Pa u krijuar mirë Republika e Qipros, lidershipi grekoqipriot fillon përgatitjet në dy drejtime. I pari: heqja e të drejtave që u ishin njohur turqve qipriotë, në rast nevoje shfarosja e tyre; i dyti, pengimi i zbatimit të Kushtetutës Qipriote dhe marrëveshjeve përkatëse, veçanërisht pengimi i zbatimit të marrëveshjeve që kishin të bënin me garancinë (shtetet garantuese) dhe aleancat. Për të realizuar objektivin e parë lideri i komunitetit grek të asaj kohe, Kryepeshkopi Makarios përgatiti “Planin Akritas”, sipas të cilit mbi komunitetin turk do të ushtrohej presion përmes metodave të ndryshme policore; lagjet, shtëpitë, dyqanet e turqve do të bastiseshin papritmas dhe do të kontrolloheshin nga policia grekoqipriote, turqit do të mbikëqyreshin rreptësishtë në çdo vend dhe në rast kundërshtimi ndaj këtyre masave ata do të provokoheshin për të shkaktuar incidente. Si rrjedhim, tensioni, që do të linde apo veprimi kundërshtues që do të bëhej, do të përdorej si pretekst për të kaluar në një ofensivë masive kundër turqve të Qipros. Në mënyrë të përmbledhur, Plani Akritas ishte një plan që kishte si synim zhdukjen e turqve që jetonin në Qipro. 

Kur grekët qipriotë nuk i morën dot votat e turqve, të nevojshme këto për ndryshimin kushtetues që ata kishin planifikuar të bënin për të shtënë në dorë të gjithë ishullin, fillimisht në vitin 1963 morën me forcë përmes një grushti shteti mekanizmin shtetëror dhe turqit i dëbuam nga administrata dhe bashkëqeverisja. Pastaj filloi zbatimi i Planit Akritas dhe në kuadër të kësaj ndaj turqve qipriotë u ndoq një fushatë frikësimi dhe spastrimi etnik, e cila do të zgjaste 11 vite.

Në kuadër të Planit Akritas në datën 21 dhjetor 1963 grekët qipriotë filluan ofensivat kundër popullit turk të Qipros. Në histori këto ngjarje kanë zënë vend me emrin “Krishtlindjet e Përgjakshme”. Me këto ngjarje nisën edhe sulmet e armatosura kundër lagjeve turke të shpërndara në të katër anët e Qipros, në fshatrat dhe kasabatë e mëdha turke të ishullit. Masakra në Tahtakale, Masakra në Ayvasıl, Masakra në Arpalık, Masakra në Baf, Masakra në Aydın, Masakra në Amarget, Masakra në Aksu dhe Masakra në Yeşilova, janë vetëm disa nga masakrat që kanë realizuar grekët qipriotë në këtë periudhë.

Edhe pse pas vitit 1965 pati një rënie në numrin e sulmeve të grekëve qipriotë, praktika të tilla: si rrëmbimi i turqve nga rruga dhe mos-marrja më e asnjë lajmi në lidhje me fatin e tyre dhe eliminimi i kushteve dhe mundësive për një jetë normale në zonat e banuara nga turqit vazhduan pa ndërprerje. E ndërkohë që turqit e Qipros po përjetonin ditët më të vështira nën mizorinë e grekëve qipriotë, asnjë vend tjetër përveç Turqisë nuk u shkoi atyre në ndihmë.

Grekët qipriotë pasi kishin zbatuar gradualisht kundër turqve politikat e spastrimit etnik, në 15 korrik 1974 realizuan grushtin e shtetit me qëllim për ti dëbuar të gjithë turqit nga Qiproja. Këtë grusht shteti e orientoi një juntë ushtarake, e cila qëndronte në pushtet në Athinë që nga viti 1967. Pas këtij grushti shteti, Turqia ndërhyri në Qipro më 20 korrik 1974 duke përdorur të drejtën që i njihnin asaj marrëveshjet e viteve 1959 dhe 1960. Si përfundim, që nga gushti i vitit 1974 ishulli u nda realisht në dy pjesë. Ndërhyrja e Turqisë në Qipro në Letërsinë e Historisë Turke të Qipros ka zënë vend si “Operacioni i Lumtur i Paqes”. Për turkun qipriot kjo datë është dita e shpëtimit nga masakrat e pafundme të grekëve qipriotë dhe rilindjes së tij.

Pastaj turqit qipriotë fillimisht krijuan “Administratën Federale Turke të Qipros së Veriut”. Grekët qipriotë palën turke gjithmonë e shikojnë si një pakicë në ishull dhe kërkuan zgjidhjen e problemit duke u njohur dhe dhënë turqve të drejtat e pakicës. Këtë herë turqit shkuan edhe një hap më tej dhe në vitin 1983 shpallën “Republikën Turke të Qipros së Veriut”.

Populli turk i Qipros arriti të mbijetojë pavarësisht mizorisë që ushtruan ndaj tij grekët qipriotë, megjithë kushtet e vështira dhe çdo lloj varfërie të krijuar nga grekët qipriotë. Dhe garantuesi më i madh i lirisë, që erdhi si rezultat i përpjekjes së popullit turk të Qipros për ekzistencë ndërmjet viteve 1963-74, është përsëri Republika e Turqisë. Për sa u përket turqve të ishullit, ata gjithmonë kanë qenë pala konsensuale që nuk e ka humbur asnjëherë dëshirën për të bashkëjetuar me grekët qipriotë, pavarësisht mizorive të këtyre të fundit. Një qëndrim i tillë është vlerësuar përherë me konsideratë nga Turqia./ trt

*Ekspert i çështjeve të Ballkanit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne