Myftiu i madh i Egjiptit lëshon fetva: ‘Bitcoin është harram’

Myftiu i Egjiptit ka lëshuar një fetva zyrtare e cila ndalon përdorimin e monedhës virtuale bitcoin. Tregtia në monedhat virtuale është e ngjashme me lojrat e fatit, të ndaluara në Islam, tha ai.

Fetvaja u lëshua pas konsultimeve me disa ekspertë ekonomik, tha myftiu Shawki Allam, transmeton gazeta Ahram. “Organet legjitime të Egjiptit nuk e konsiderojnë të pranueshme tregëtinë me monedha virtuale si bitcoin, dhe përdorimi i tyre ndikon në ruajtjen e këmbimit valutor nga autoriteti i shtetit”, tha ai.

Myftiu e krahasoi shkëmbimin tregtar të monedhave virtuale me lojrat e fatit, të cilat janë të ndaluara në Islam “për shkak të përgjegjësisë së saj të drejtpërdrejtë në rrënimin financiar të individit”. Kleriku tha se bitcoin mund të ndikojë negativisht në sigurinë ligjore të atyre që e tregtojnë dhe çon në “lehtësimin e pastrimit të parave dhe në kontrabandë”.

Deklarata e Allam erdhi pasi vlera e bitcoinit po vazhdon të luhatet në mënyrë të paparashikueshme. Që nga 3 janari, çmimi i saj qëndron në 15,000 dollarë.

Kryemyftiu i Egjiptit nuk është kleriku i parë musliman që kritikon monedhën e famshme, e cila e ka ngritur në qiell vlerën e saj gjatë muajve të fundit. Në dhjetor, kleriku i njohur saudit, Assim Al-Hakeem i ndaloi monedhat virtuale sepse ishin shumë të paqarta dhe të dyshimta.

“Ne e kemi mëse të qartë se bitcoin mbetet anonim kur punojmë me të … që do të thotë se është një portë e hapur për pastrimin e parave, paratë e drogës dhe për paratë e ndaluara(harram),” tha Hakeem në atë kohë.

Në nëntor, autoriteti më i lartë fetar i Turqisë, Drejtoria e Çështjeve Fetare, e njohur si Dijanet deklaroi se blerja dhe shitja me valuta virtuale është në kundërshtim me Islamin për shkak të mungesës së rregullimit dhe lidhjes së ngushtë me aktivitetet kriminale.

Vitin e kaluar monedhat bitcoin zunë titujt në mjaft media. Pavarësisht rënies së vlerës në dhjetor, bitcoin ka parë një rritje të jashtëzakonshme gjatë vitit 2017, gjatë të cilit çmimi u rrit me mbi 1.300 për qind./rt/Gazeta Impakt/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne