Rajoni

Në Shkup shënohet Nata e Beratit

Shkup

Me një program të organizuar në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup është shënuar Nata e Beratit, e cila konsiderohet si natë lajmëruese për ardhjen e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Programi është organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut dhe Konsulencës së Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup.

Këshilltari i çështjeve fetare pranë Ambasadës turke në Shkup, Murat Alkan, theksoi se në trojet e Ballkanit netët e shenjta kalohen në mënyrë të përkryer dhe me pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve. Ai po ashtu falënderoi mysafirët nga Turqia për praninë e tyre me rastin e Natës së Beratit.

“Sot jemi në mesin e muajit Shaban. Kjo natë quhet Berat. Fjala ‘berat’ do të thotë falje. Shpresoj se ne si muslimanë sonte do t’i ngrem duart tona drejt qiellit dhe do të kërkojmë mëshirë dhe falje nga Zoti”, theksoi Alkan.

Programi filloi me recitimin e Kur’anit dhe duke kënduar ilahi nga mysafirët nga Turqia dhe hoxhallarët vendas.

Në shënimin e kësaj nate, të pranishëm ishin shumë mysafirë nga Turqia dhe vendi, përfshirë edhe Dr. Fatih Koca nga Fakulteti i Teologjisë në Ankara, myftiu i Izmirit, Recep Şükrü Balkan, drejtori i Qendrës së Arsimit të Lartë Fetar në Ankara, Mustafa Bodur, si dhe profesori në Universitetin e Marmarasë, Ishak Kızıaslan.

Ndryshe, Nata e Beratit konsiderohet nga netët e mëdha në besimin islam dhe shënohet në natën e 15-të të muajit Shaban sipas kalendarit islam, që këtë vit përkon me natën që lidh 19 dhe 20 prillin sipas kalendarit gregorian, ndërsa llogaritet lajmërues për ardhjen e muajit të Ramazanit, si dhe natë e pastrimit nga mëkatet, natë e dëshirave dhe e përcaktimit të fatit.

Në vende të ndryshme, kjo natë shënohet me programe dhe aktivitete të ndryshme./ AA

OPINIONE