Nën rikonstruksion ‘Tebja’ e kalasë së Beratit, së shpejti pika e vrojtimit do të pajiset edhe me teleskop

Pas shumë dekadash, më në fund edhe Pika Panoramike e Kalasë së Beratit, e njohur ndër shekuj me emrin “Tabja e Kalasë” ose çanaku, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.

Fondi për rehabilitimin e pikëvrojtimi më mahnitës të qytetit të Beratit është dhënë nga ministria e Kulturës dhe bashkë me të, do të rehabilitohet edhe sheshi përreth saj.

E vizituar ndër vite nga çdo turist që shkel në qytetin e mbrojtur nga UNESKO, madje edhe nga personalitetet më të larta Europiane e Botërore, tshmë pika panoramike e Tabjes do të pajiset edhe me mjete vrojtimi të tipit “teleskop” për t’u mundësuar turistëve të shijojnë nga lart panoramën e mrekullueshme të luginës së Osumit dhe dy lagjet muzeale të tij “Mangalem” e “Goricë”.

Drejtori Rajonal i Monumenteve të Kulturës në Berat, Eugen Kallfani thotë punimet konsistojnë në një rikonceptim total të sheshit pranë Tabjes.

“Tek Tabja është bërë një ndërhyrje tërësore. Do të vendoset edhe teleskopi për të pasur një akses më të mirë në lagjet e vjetra dhe karakteristike.”
Eugen Kallfani, Drejtori Rajonal i Monumenteve të Kulturës, Berat

Në bazë të statistikave e të dhënave, vitin kaluar kalanë e Beratit dhe Tabjen e saj e kanë vizituar 74 800 turistë, ndërsa këtë vit numri i tyre deri më tani ka shkuar deri në 123 500 turistë, ndërkohë që në fund të vitit mendohet që ky numër do të arrijë shifrën e 140-150 mijë turistëve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne