Netanyahu paralajmëron aneksimin e Bregut Perëndimor

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se do të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar nëse ai fiton në zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të mbahen më 9 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të garantojmë se jemi përgjegjës në terren. Dhe ne do të imponojmë sovranitet mbi vendbanimet në Jude dhe Samari (Bregun Perëndimor)”, tha ai në një intervistë për televizionin izraelit të shtunën vonë.

Netanyahu, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë Likud, tha se qeveria e tij e ardhshme nuk do të ndahet midis blloqeve të mëdha të vendbanimeve izraelite dhe posteve të vogla në Bregun Perëndimor.

“Asnjë vendbanim nuk do të evakuohet dhe zona e Luginës së Jordanit do të kalojë në duart tona”, theksoi ai.
Kryeministri izraelit tha se krijimi i një shteti palestinez do të rrezikonte ekzistencën e Izraelit.

“Ne qeverisim nga pikëpamja e sigurisë në të gjithë zonën”, tha ai. “Unë nuk do të jap asnjë vendbanim për sovranitetin palestinez dhe nuk do ta ndaj Kudsin”.

Rreth 650 mijë kolonë hebrenj jetojnë aktualisht në më shumë se 100 vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe Kudsi Lindor.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor konsiderohen “territore të pushtuara” dhe se të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve të kolonëve hebrenj janë të paligjshme.

Palestinezët, nga ana e tyre, duan që me këto dy territore, së bashku me Rripin e Gazës, të krijohet shteti i ardhshëm palestinez./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne