Nexhmije Hoxha nxirret nga banesa, urdhri duhet zbatuar brenda pesë ditëve

Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha, ka marrë urdhër për të dalë nga banesa ku jeton në zonën e Laprakës në Tiranë. Urdhri ka mbërritur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe duhet të zbatohet brenda pesë ditëve.

Banesa e 97 vjeçares preket nga plani për zgjerimin e Unazës së Re, të cilin e po e kundërshtojnë edhe shumë banorë të zonës për shkak të prishjes së bizneseve dhe shtëpive. Hoxha është vendosur në atë shtëpi pas viteve ’90, kur u dëbua nga zona e ish-Bllokut.

Ndërkohë, avokati i saj, Idajet Beqiri pretendon në reagimin për gazetën ‘Dita’, se me këtë urdhër janë shkelur ligjet dhe ka dyshime se projekti është devijuar qëllimisht.

“Unaza rrugore është një vepër vërtetë e rëndësishme. Por ndërtimi i saj nuk është mister dhe ilegal! Projekti i saj duhet t’u bëhet i ditur atyre që u preken pasuritë e paluajtshme, posaçërisht shtëpitë e banimit prej ndërtimit të saj. Projekti i Unazës nuk e prekte këtë ndërtesë. Ishte larg saj vija ku do të bëhej ky ndërtim. Mirëpo një “birbollan” pasardhës kolaboracionisto – fashisti, në mënyrë abuziviste, në shenjë të një hakmarrje të pastër e devijuan me një shtrëmbësi vije këtë projekt për të prekur vetëm gjysmën e kësaj ndërtese, e cila nuk mund të qëndroj më në këmbë pas këtij “kafshimi” të pritshëm”, thotë avokati.

Të njëjtin urdhër ka marrë edhe familja e Rustem Peçit, gjeneral në pension, i cili është djali i Shefqet Peçit, ish-ministër i Minierave gjatë periudhës së komunizmit.

Burimi: Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne