Shqiperia

Nga mbyllja e basteve janë kursyer 50 milionë dollarë të qytetarëve

Në janarin e këtij viti, rreth 50 milionë dollarë janë kursyer në shtëpitë e shqiptarëve, për shkak të mbylljes së kazinove elektronike dhe basteve sportive.

Këtë e deklaroi sot zëdhënësja e qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në konferencën javore për shtyp.

“Në janar 2018 në bastet sportive dhe kazinotë elektronike janë shpenzuar zyrtarisht 1.3 miliardë lekë, pra 13 milionë dollarë. Një shifër e jashtëzakonshme. Nëse do të shtonim projeksionin e aktivitetit te bixhozit në të zezë, atëherë jemi në rreth 35 milionë dollarë shtesë. Në janar 2019 për shkak të ndalimit të bixhozit afro 50 milionë dollarë janë kursyer nga shtëpitë e shqiptarëve”, nënvizoi Spiropali.

Sipas saj, rezultojnë të mbyllura sipas bazës së të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe autoritetit të mbikëqyrjes së lojërave të fatit 4364 adresa, ku zhvillohej veprimtari bixhozi.

Spiropali tha se në dhjetor 2018 dhe janar 2019 rezultojnë të regjistruara 2688 biznese të reja të vogla, ku një pjesë e konsiderueshme janë të krijuara në mjediset e basteve sportive dhe kazinove elektronike.

Ne, vijoi ajo, jemi krenarë që me vendosmëri ndërhymë në këtë aktivitet të vesit, në këtë gosti që ushqehej kryesisht me të varfrit dhe të pamundurit në lagjet tona.

“Krijimi i bizneseve të reja në ish-mjediset e bixhozit është dëshmia më e qartë sesi ky ligj po rezulton në favor të shëndoshjes së ekonomisë dhe të çlirimit të familjeve shqiptare nga një barrë e rëndë ekonomike, sociale dhe psikologjike”, tha Spiropali.

Sipas vendimit të Qeverisë shqiptare, nga 1 janari i këtij viti duhet të mbyllen të mjediset e basteve dhe të gjitha kazinotë elektronike, të cilat ishin nëpër rrugët kryesore në qytetet e Shqipërisë. Kazino do të ketë vetëm nëpër hotelet me pesë yje që ndodhen në Shqipëro, por që janë jashtë zonave urbane.

OPINIONE