Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagon pas lajmit se qeveria greke do të mbyllë pikën kufitare të Kapshticës, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Përmes një njoftimi, Ministria bën të ditur planin e masave të palës greke, që do duhet zbatuar nga të gjithë ata që duan të kalojnë kufirin. Kështu, duke filluar nga dita e nesërme, datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë, ndërsa mbetet e hapur ajo në Kakavijë.
Njoftimi i plotë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se Qeveria greke ka njoftuar në lidhje me kufizimet e hyrjes në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë. Lajmi është bërë i ditur nga Zëdhënësit Qeveritar, Stelios Petsas.
Konkretisht, duke filluar nga dita e nesërme, datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë, ndërsa mbetet e hapur ajo në Kakavi. Në lidhje me kufijtë e tjerë veriorë të vendit, do të mbeten të hapura pikat kufitare në Evzonoi dhe Promachona, ndërsa në Nimfea do të hyjnë vetëm kamionat.