Nikolla fajëson ministren e PD për kaosin me librat shkollorë

Ministrja e ardhshme e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Lindita Nikolla, i është kundërpërgjigjur kreut të PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me çështjen e librave për parashkollorët. Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në ‘Facebook’, Nikolla i ka kujtuar Bashës se ajo nuk është ministre Arsimi akoma dhe se gjatë këtyre tre muajve dikasterin e arsimit e ka qeverisur ministrja teknike e PD-së. “Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj”, ka shkruar Nikolla. Ndërkaq, ajo ka sulmuar edhe ministren teknike Karabina, ku, sipas Nikollës ka çoroditur dikasterin përmes veprimeve të paligjshme. “Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qenë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re”, shkruan ajo. Ndërkohë, ajo ia hedh poshtë akuzat Bashës duke theksuar se është e pavërtetë që librat shkollor janë falas në të gjithë rajonin. “Prandaj po jua bëj me dije. Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po iu informoj”, nënvizon Nikolla. Megjithatë, Nikolla nuk e kursen as ironinë dhe sarkazmin ndaj kreut të Partisë Demokratike, ku ajo i uron suksese në detyrën si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme dhe se do të mirëpres çdo ide apo sugjerim të Bashës. “Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, unë do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar. Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme”, tha Nikolla.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne