Nis numërimi mbrapsht për të korruptuarit, sot përzgjidhen dosjet e SPAK, mbi 900 hetime pasurore në duart e prokurorëve specialë

Nis numërimi mbrapsht për të korruptuarit në vend. Teksa deri më tani të gjithë e shihnin me dyshim Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë e Hetimit, duket se nuk ka më asnjë mëdyshje se brenda vitit nis lufta ndaj të gjithë atyre që kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve.

Ditën e sotme të gjitha prokuroritë në vend, përfshirë dhe atë të Krimeve të Rënda, duhet të dorëzojnë një relacion ku të shprehen se sa është numri i dosjeve që do të duhet të kalojnë për kompetencë te SPAK. Po ashtu duhet të jepen detaje mbi karakterin e çështjeve, numrin e të proceduarve, etj. Pra ditën sotme pritet që të nisë puna për të përzgjedhur dosjet që do kalojnë te Prokuroria e Posaçme. Me shumë vëmendje shihen dosjet që do të dorëzojë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila do shkrihet. Sipas të dhënave paraprake janë 1.500 procedime penale në total, nga të cilat 900 hetime pasurore, të cilat do i kalojnë SPAK. Pra sinjalet janë të qarta se SPAK do lërë pa gjumë shumë emra të njohur në vend, si nga politika ashtu dhe nga krimi i organizuar.

Roli i ndërkombëtarëve

Ngritja e SPAK dhe më pas e Byrosë së Hetimit gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve. Edhe pse reforma po sulmohet dhe anatemohet nga disa politikanë në vend, për Brukselin dhe Uashingtonin nuk ka kthim pas. Partnerët ndërkombëtarë si edhe donatorët e kanë vlerësuar ecurinë që po bën reforma në drejtësi, po ashtu edhe ngritjen e institucioneve të reja që janë SPAK dhe BKH. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zhvilluar një takim me koordinues të nivelit të lartë, i ka ardhur si vazhdimësi e miratimit të Planit Strategjik për vitet 2019 dhe 2020.

Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të misioneve të huaja që asistojnë sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, të cilët janë shprehur se do të vijojnë të monitorojnë dhe mbështesin procesin. Këshilltarja ligjore e OPDAT, Michele Lakomy deklaroi se SHBA mbështet reformën në drejtësi. Po ashtu tha se pas ngritjes së të gjitha institucioneve të reja në drejtësi, qytetarët do të kenë një akses të vërtetë në këtë sistem. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin punën e institucioneve të reja të drejtësisë, e njëjta mbështetje do të jetë edhe për SPAK, strukturën e posaçme antikorrupsion dhe kundër krimit te organizuar. Pas ngritjes se të gjithë institucioneve përmes bashkëpunimit të tyre qytetarët do të kenë një akses të vërtetë në drejtësi”, ka deklaruar Lakomy.

Ndërkohë gjatë takimit të KLGJ ka mbajtur fjalën e saj edhe kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami. Kryetarja e KLGJ ka kërkuar bashkëpunim për rritjen e drejtësisë. Sipas Llagamit, qytetarët kanë nevojë për më shumë akses në drejtësi, gjë që e cila sipas asaj që deklaroi Lakomy do të arrihet me ngritjen e SPAK dhe BKH. “Qytetarët kanë nevojë për akses në drejtësi. Është e nevojshme pasja e një bashkëpunimi aktiv sëbashku, na ndihmoni të shkojmë përtej sot. Kemi gjetur bashkëpunim të shkëlqyer me USAID, Euralius e më gjerë. Kemi nevojë për ndihmën tuaj për rritjen e drejtësisë”, ka deklaruar Llagami. Ajo tha se në total nga Këshilli numërohen 182 vendimmarrje në tërësi, 40 rregullore dhe akte normative, 605 kërkesa nga gjykatat vetëm për caktime gjyqtarësh dhe 890 gjyqtarë të caktuar në çështje të veçanta vetëm në 9 muaj. /Arbjona ÇIBUKU

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne