Nishani shpjegon se kush dhe përse e solli Ramën në pushtet; një koment për t’mos u besuar

Duke ndjekur modelin e Berishës në post-pushtet, me një angazhim në rrjete sociale kundër qeverisë dhe personalisht kryeministrit Rama, ish-presidenti Nishani ka ofruar së fundi dhe versionin konspirativ mbi ardhjen në pushtet të kreut të socialistëve dhe përfoljes më të fundit në opinion mbi ardhjen e mundshme të një mase refugjatësh nga Lindja për t’u instaluar në Shqipëri.

Jo në status por në koment, ish-kreu i shtetit shqiptar që gjithashtu ka mbajtur dhe postet e ministrit të Drejtësisë dhe Rendit, zbulon lidhjet mes dy realiteteve.

Nëse e lexon komentin por nuk e di autorësinë, vështirë të imagjinohet se njeriu që e ka shkruar ka mbajtur poste kaq ta larta në drejtimin e shtetit. Ministër në dy dikastere që përbëjnë kolonat e tij, përfshirë këtu dhe të qënit president, janë tregues se ushtruesi i tyre posedon një formim të lartë prej shtetari, përfshirë në të edhe elementë etikë e intelektualë bashkë.

Për t’i bërë opozitë një kryeministri si Rama, lënda që ky i fundit lë në terren është e mjaftueshme për të ndërtuar një ligjërim më elegant e më bindës gjithashtu, që hem kundërshtarin e telendis e hem ty të faktorizon dhe shndërron në referencë. Nga ana tjetër, parë në rrafshin personal, te ish-presidenti Nishani duhet të ekzistojë një vetëpërmbajtje dhe etike karshi kryeministrit, i cili në asnjë rast nuk e ka sulmuar, cenuar apo shpotitur kur ushtronte detyrën e kreut të shtetit.

Nishani u bë presidenti në rrethanat kur Rama ishte kreu i opozitës dhe ky i fundit e respektoi kushtetushmërisht dhe etiko-politikisht zgjedhjen e tij, duke marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës pa asnjë hezitim, pavarësisht se vinte nga PD me një status të kulluar partiak, dhe pavarësisht gjithashtu se zgjedhja e tij, forma e rruga që u ndoq ishin poshtëruese për opozitën.

Madje duhet trajtuar si rasti i rrallë për tipologjinë e Ramës, gojëmbyllja që ky i fundit ka treguar karshi Nishanit-president për të mos përcjellë në adresë të ish-kreut të shtetit demokrat asnjë hithtësi verbale nga fjalori i rënduar politik.

Dhe ka ndodhur teksa Nishani, haptazi, nganjëherë dhe trashë, luajti rolin e një partiaku në krye të Presidencës, sesa të një kreu shteti me distancë nga partitë. Është një meritë që Ramës i duhet njohur, pasi është ndër ato raste kur nuk ha diskutim.

Ndaj dhe komenti i Nishanit, edhe pse i vërtetë, është diçka që nuk duhet besuar. Militancat partiake edhe mund të gjykojnë ashtu, por jo një ish-ministër e ish-president që i është besuar shteti.../ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne