Një pikëpamje “greke” mbi zgjerimin e ujërave territoriale dhe përfitimet e munguara nga bllokimi i marrëveshjes

Angelos M. Syrigos, profesor i asociuar, ekspert i ligjit ndërkombëtar në Universitetin Panteion të Athinë, publikon sot një opinion në gazetën “Kathimerini”, titulluar: “Ujërat territoriale greke dhe Turqia”.
Shkrimi është ndarë në disa sythe dhe është i thjeshtë për t’u kuptuar pasi sqaron se çështja kryesore e Greqisë sot është Egjeu dhe problemet që implikohen aty me Turqinë. Kjo ka rëndësi pasi në Shqipëri luhet me idenë se ndarja detare në Jon është prioritare, ndaj edhe kështu shpjegojmë konspiracionin e madh kundër vendit tonë.

Syrigos e nis me deklaratën e ish-ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias që u shpreh se Greqia do të zgjerojë vijën detare në Jon në 12 milje, një deklaratë që provokoi reagime hga Turqia. Ankaraja zyrtare bëri të qartë se çdo lëvizje e ngjashme në Egje do të çonte në luftë. Këtu vjen në vështrim sjellja politike në raport me ligjin ndërkombëtar, diçka që në rastine Turqisë është serioze për vetë përmasat e saj dhe natyrën e pushtetit, por është karikaturiale në rastin e politikës shqiptare që nuk ka asgjë në dorë.

I vetmi kufizim për sovranitetin në ujërat territoriale është e drejta për kalim paqësor nga të gjitha anijet pa njoftim paraprak të shtetit bregdetar. Që nga vitet ’70 të gjitha shtetet në botë – përveç Greqisë – kanë zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje, shkruan Syrigos.

Nga kjo pikëpamje deklarata e Kotzias është korrekte në raport me ligjin ndërkombëtar ku aderon edhe Shqipëria, ndonëse në distancat përballë vendit tonë, këto ujëra teritoriale shikohen në të tjera raporte.

Duket se zgjerimi territorial i ujërave detare nga Greqia ka më shumë vlerë politike për faktin se që nga viti 1936 Greqia ka ushtruar të drejtën për 6 milje, ndonëse e ka çuar këtë në 10 milje për hapësirën ajrore. Turqia nga ana e saj zgjerii ujërat territoriale në 6 milje në vitin 1964, duke njoftuar se çdo lëvizje në zonën e Egjeut apo në ujërat e tjera ku ajo është prezente do shoqërohet me lëvizje reicproke. Turqia argumenton se 12 miljet janë maksimumi i zgjerimit të ujërave territoriale, por në rastin e një deti me “rrethana speciale” si Egjeu, kjo distancë do ta kthente atë në një liqen të Greqisë. Kjo për shkak se Greqia zotëron shumicën e ishujve të Egjeut, disa madje shumë afër bregut kontinental të Turqisë.

Duke sjellë shembuj nga rajone të ndryshme të botës ku ka rrethana të ngjashme, profesori grek bën thirrje që Greqia të bëjë zgjerimin e ujërave territoriale sipas ligjit ndërkombëtar, për arsye se mandej çdo pretendim i deritanishëm i Turqisë do të binte dhe do të kishte karakter simbolik.

Të vetmet çështje që do të persistonin janë ato që kanë të bëjnë me demilitarizimin e ishujve të Egjeut lindor dhe shelfi kontinental I Kastelorizos në Mesdheun Lindor, shkruan ai.

Syrigos shkruan se e drejta për zgjerim të ujërave territoriale garantohet nga Konventa e Detit, por sipas tij, Athina zyrtare ka preferuar të kërkojë konsensus me vendet fqinje për një të drejtë që e ka. Ky konstatim ka rëndësi edhe për vendin tonë, pasi në eventualitetin e një qeverie tjetër në Athinë, ndoshta duhet të mësohemi me idenë e zgjerimit të ujërave greke në Jon pa njoftime për shtyp. Kështu ka vepruar edhe Shqipëria e cila madje në vitet ’70 pretendoi edhe 15 milje detare. Profesori bën ironi me vendim e vet kur shkruan se vendimi për të ushtruar një të drejtë të dhënë nga ligji “u shty për në kalendat greke”.

Por cilat do të ishin për Shqipërinë përfitimet nga poltika greke e zgjerimit? Sipas Syrigos, Greqia është i vetmi nga 149 vendet bregdetare që nuk i ka zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje dhe bashkë me Shqipërinë, Kuvajtin dhe Malin e Zi hyn në kategorinë e vendeve që nuk kanë zona të tjera juridiksioni të deklaruara që shkojnë ërtej ujërave territoriale.
Nga kjo pikëpamje marrëveshja me Greqinë mund të sillte të tjera hapësira për vendin tonë, që është kapur mat në një diskutim retorik për tradhëti dhe shitje të detit. Në të vërtetë këtë çështje më mirë do ta shoshisnin ekspertët, por për aq sa kemi dëgjuar të tillë sikur nuk ka. Edhe ata që bërtasin, duket se kanë ndarë mendjen të bëjnë kartografi letrare dhe gjeopolitikë emocionesh, pa dhënë ndonjë gjë më shumë mbi mundësitë reale të vendit dhe pa sqaruar se çfarë quhet në rastin konkret një marrëveshje e ndershme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne