Nobelisti rrëzon skemat e OBSH: Izolimi nuk ka asnjë vlerë për parandalimin e koronavirusit, ka shkaktuar më shumë të vdekur

Në një artikull të publikuar në The Telegraph, Profesori Michael Levitt nga Universiteti Stanford parashikoi që Mbretëria e Bashkuar do të shpëtojë nga Covid-19 brenda disa javësh. Izolimi i popullsisë sipas tij ka shkaktuar më shumë vdekje sesa ka shpëtuar. Levitt, i cili është një Profesor britaniko-amerikan-izraelit që mori çmimin Nobel për kimi në vitin 2013 për “zhvillimin e modeleve multiscale për sistemet kimike komplekse”, ka deklaruar që planeti do të mposhtë koronavirusin më shpejt sesa parashikojnë shumica e ekspertëve të tjerë. “Unë mendoj se izolimi nuk shpëtoi jetë”, tha shkencëtari, i cili shtoi se qeveria britanike duhet të kishte inkurajuar qytetarët britanikë që thjesht të mbanin maska ​​dhe t’i përmbahen formave të tjera të distancimit shoqëror. Pasi vlerësoi shpërthimin fillestar në Kinë dhe nga anija e infektuar e lundrimit Diamond Princess, ai parashikoi në 14 mars se Mbretëria e Bashkuar do të kishte rreth 50,000 viktima si pasojë e koronavirusit të ri.

Ndërkohë që modelimi i Profesor Ferguson atë javë, vlerësoi deri në 500,000 vdekje pa masa distancimi shoqëror. Michael Levitt, i cili parashikoi saktë trajektoren fillestare të pandemisë, bëri një shkëmbim mesazhesh me profesorin Neil Ferguson në mars duke i thënë këshilltarit me ndikim qeveritar se ai kishte mbivlerësuar numrin e mundshëm të vdekjeve me të paktën “10 ose 12 herë”. Modelimi ose parashikimi i profesorit të Kolegjit Imperial ishte një faktor kryesor në braktisjen e dukshme të qeverisë britanike të politikës së ashtuquajtur “imuniteti i tufës”, ishte pjesë e një paniku të panevojshëm lidhur me virusin që u përhap në mesin e liderëve politikë globalë, tha Profesori Levitt.

Imuniteti i tufës është kur shumica e popullsisë është imune ndaj një sëmundjeje infektuese. Kjo ndikon një mbrojtje indirekte ndaj atyre që nuk kanë imunitet. Për shembull nëse 80% e popullsisë është imune ndaj një virusi, katër nga pesë personat të cilët do të takohen me personin mbartës nuk do të sëmuren e për pasojë nuk do ta tejçojnë virusin tek persona të tretë. Që të quhet i arritur imuniteti i turmës, duhet që 70-90% e popullsisë të jetë imune. Në viruse të tipit të gripit të zakonshëm për shembull, të cilat janë viruse që ndryshojnë vazhdimisht, antitrupat nga një infektim i mëparshëm sigurojnë mbrojtje për një periudhë të caktuar kohore. Nëse koronavirusi i ri i cili shkakton Covid-19 është si koronavirusit e tjera me të cilët është përballur njerëzimi, atëherë ne duhet të presim që njerëzit të cilët e kalojnë sëmundjen të kenë imunitet për muajt apo vitet në vazhdim dhe për pasojë të krijohet ajo që njihet si imunitet i turmës. Më tej profesori shpjegoi: “Unë mendoj se mund të na ketë kushtuar jetë. Do të ketë shpëtuar disa jetë, por dëmtimi social, abuzimi në familje, divorcet, alkoolizmi, kanë qenë ekstrem. Dhe këtu duhen përfshirë edhe ata persona të cilët nuk morën trajtimin e duhur gjatë kësaj periudhe nëse vuanin nga të tjera sëmundje veç Covid-19”. Në një deklaratë të dhënë për “The Telegraph”, profesor Levitt tha se mendonte se ai që mund të quhet vërtet virus, ishte “virusi i panikut”, që kapi qeveritarët dhe popullatën. “Për arsye që nuk ishin të qarta për mua, unë mendoj se udhëheqësit u panikosën dhe njerëzit pësuan panik gjithashtu, dhe unë mendoj se kishte një mungesë të madhe diskutimesh”.

Detajet

73-vjeçari nuk ka një background si epidemiolog, por ai u mor me vlerësimin e situatës në Kinë dhe përgatiti një dosje bazuar në llogaritjet e tij. Ai parashikoi se shumica e vendeve do të pësonin një normë vdekjeje për shkak të Covid-19 me vlerë rreth një muaj shtesë në vdekje të tepërta gjatë vitit kalendarik. Pra shifra e përgjithshme do të ishte mesatarja e vdekjeve për një muaj shumëzuar me 13 dhe jo me 12 që janë muajt e vitit. “Në Europë, unë nuk mendoj se mund të ketë diçka që të mund ta ndalojë virusin përveçse ai të ndalojë vetë për shkak se njerëzit do të fitojnë imunitet. Ekzistojnë një numër i madh njerëzish që janë asimptomatikë, kështu që unë seriozisht mendoj që në momentin që u mor vendimi i karantinimit në Mbretërinë e Bashkuar, tashmë virusi ishte përhapur gjerësisht në popullatë.

Qeveria mund të kishte ndjekur të njëjtën strategji si Suedia dhe në këtë fazë nuk do të kishim as më pak as më shumë të infektuar apo viktima nga sa kemi aktualisht”, shtoi ai. Profesori Levitt tashmë ka analizuar të dhënat nga 78 kombe me më shumë se 50 raste të raportuara të koronavirusit të ri. Studimet e tij vërtetuan se virusi nuk do të arrinte kurrë llojin e rritjes eksponenciale të infektimit apo vdekjeve të parashikuar më parë nga modeluesit në Kolegjin Imperial. “Nuk ka dyshim se ju mund të ndaloni një epidemi me karantinimin e popullatës, por është një armë shumë mesjetare dhe jo koherentë, për sa kohë epidemia mund të ishte ndalur po aq efektivisht me masat e tjera të tilla si maskat ​​dhe forma të tjera të distancimit shoqëror”, shtoi ai. “Nëse marrim në shqyrtim rastet e vdekjeve sidomos për Europën, numri i vdekjeve para se gjërat të izoloheshin nuk kanë ndryshuar shumë pas izolimit. Diferenca me vitet e tjera sipas kalkulimeve është rreth një muaj vdekje natyrale”, deklaroi Levitt.

Bazuar në vlerësimet e tij, Britania duhej të vuante rreth 50.000 vdekje në total. “Shumë gjëra nuk shkuan mirë, por unë mendoj se gjëja kryesore është që ne vetëm duhet të mendonim dhe të diskutonim gjërat pak më shumë. Por në shumë raste më është thënë, ti nuk je një epidemiolog kështu që mbylle gojën. E vërteta është se nuk më intereson shumë se çfarë thonë. Unë në të vërtetë isha duke shikuar të dhënat të ardhura nga anija Diamond Princess dhe Wuhan. Ndaj flas”, deklaroi Levitt. Vlerësimi i profesorit është që të paktën në Europë virusi është “ngopur” prandaj sipas tij vazhdimi i karantinimit të popullsisë mund të sjellë më shumë dëme sesa dobi. “Unë mendoj se izolimi do të sjellë më shumë të këqija sesa rezultate pozitive në shifrat e jetëve të shpëtuara. Kur pashë njoftimin (nga profesor Ferguson) u trondita. Unë bëra një takim me të kur pashë në të vërtetë që niveli i vdekjes së parashikuar nga Ferguson ishte e barabartë me vlerën e vdekjeve të një viti, duke dyfishuar shkallën normale të vdekjes. Sapo pashë studimin menjëherë e kuptova që ishte e gabuar. Unë mendoj se Ferguson e ka mbivlerësuar 10 ose 12 herë këtë shifër. Duhet ta kishim mësuar nga të dhënat e ardhura nga Kina që ky virus nuk rritet në mënyrë eksponenciale. Pas rastit të parë, rritja eksponenciale në të vërtetë zvogëlohet.

Problemi me epidemiologët është se ata mendojnë se puna e tyre është të frikësojnë njerëzit me anë të izolimit ose distancimit shoqëror. Kështu që kur ata thonë do të kemi 1 milion vdekje dhe në fakt do të ketë vetëm 25.000 vdekje, atëherë do t’u thuhet së është një arritje që erdhi vetëm si pasojë e zbatimit të rregullave të vendosura si izolimi. Kjo ndodhi edhe me Ebolën dhe gripin e shpendëve. Kjo është vetëm një pjesë e çmendurisë”, deklaroi ai. Prof Levitt thotë se provat globale tregojnë se virusi venitet në një klimë të nxehtë dhe të thatë siç është edhe në pjesën më të madhe të botës perëndimore. “Shqetësimi kryesor që unë do të kisha do të ishte në Kinë”, tha ai kur u pyet për mundësinë e një shpërthimi të dytë. “Unë jam 73 vjeç dhe ndihem shumë i ri. Nuk më intereson aspak rreziku. Ndërsa plakeni, rreziku për të vdekur nga sëmundja është aq i lartë sa të bën të mos shqetësohesh më për asgjë”, tha profesori./360grade

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne