Nuk do të hetohen krimet e luftës që mund të përfshijnë forcat amerikane në Afganistan

Gjykata Ndërkombëtare për Krime hodhi poshtë kërkesën e bërë nga një prokurore e këtij institucioni për të hapur hetime për krime të mundshme të luftës, të kryera gjatë konfliktit në Afganistan.

Në vendimin e lëshuar të premten, gjykatësit përmendën mungesën e provave.

“Dhoma konstaton se hetimet mbi situatën në Afganistan, në këtë fazë, nuk do t’iu shërbenin interesave të drejtësisë, andaj e refuzon kërkesën”, thuhet në vendim.

Në nëntor të vitit 2017, prokurorja Fatou Bensouda ka kërkuar nga gjykatësit të nisin hetime për krime të dyshuara të luftës dhe krime të dyshuara kundër njerëzimit, të kryera nga forcat afgane të sigurisë, nga talibanët dhe luftëtarët e rrjetit terrorist Hakani, si dhe nga forcat amerikane dhe zyrtarët e inteligjencës në Afganistan.

Më 5 prill, zyra e Bensoudas tha përmes një deklarate të shkruar se autoritetet amerikane ia kanë anuluar vizën e saj hyrëse në SHBA.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha muajin e kaluar se Uashingtoni do t’ia anulojë ose refuzojë vizat stafit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, që përpiqet të nisë hetime për krimet e dyshuara të luftës, të kryera nga forcat amerikane në Afganistan ose gjetkë.

Shtetet e Bashkuara janë në mesin e dhjetëra vendeve që nuk e kanë ratifikuar Traktatin e Romës, në bazë të të cilit është themeluar Gjykata Ndërkombëtare për Krime në vitin 2002.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne