Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka deklaruar se gjatë këtij viti nuk është regjistruar asnjë rast dekonspirimi në marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit dhe SPAK, duke theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional po funksionon me standarde të larta profesionale.
Ne Komisionin për Çeshtjet e Brendshme, Koçiu theksoi se ndonëse “paraja e krimit nuk është e lehtë për t’u gjurmuar”, përmes një administrimi më efikas të agjencive përkatëse është bërë e mundur që një pjesë e pasurive të sekuestruara të vihet në shërbim të komunitetit dhe çështjeve sociale.
Albana Koçiu: Sa i përket SPAK dhe Policisë së Shtetit, nuk është regjistruar asnjë rast dekonspirimi. Në fushën e pastrimit të parave, është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të goditjeve. Paraja e krimit nuk është e lehtë për t’u gjurmuar, por falë mirëadministrimit të agjencisë, një pjesë e këtyre pasurive është vënë në shërbim të komunitetit dhe çështjeve sociale. Strategjia kundër krimeve të rënda parashikon rritjen e numrit të ekipeve të përbashkëta hetimore. Vetëm në nëntëmujorin e parë janë zhvilluar 1,121 hetime proaktive./BW


















