“Nuk ka radarë, na duhen para!” Tri pikat e ‘nxehta’ kufitare që shfrytezohen nga trafikantët

Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit kërkoi dje në Komisionin e Sigurisë një fond prej 400 milionë lekësh për të blerë radarë për monitorimin e hapësirës detare.

Gjatë shqyrtimit të buxhetit të institucionit për vitin 2019, përfaqësuesi i institucionit, Pëllumb Aliaj, u shpreh se radarët që monitorojnë hapësirën detare janë të vitit 1998 dhe për këtë nevojitet rinovimi i tyre.

“Duke qenë se shuma prej 400 milionë lekësh është e madhe, të sigurojmë një fond që të arrijmë në kufirin 20% të vlerës totale të projektit, që të mund të bëjmë procedurën e prokurimit. 50 deri në 80 milionë lekë sa të bëjmë procedurën. Të vendosim radarët në pikat e nxehta që kemi problem”, u shpreh Aliaj.

Gazeta “Panorama” u interesua për pikat e nxehta të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe burimet bënë me dije se janë fshatrat Dhërmi në Bashkinë e Himarës, fshati Hoxharë në Bashkinë e Fierit dhe fshati i Spilles në Bashkinë e Kavajës, të cilat janë përdorur për kalimin e paligjshëm të kufirit në rrugë detare, kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike. Krahas kërkesës për shtimin e fondeve për blerjen e radarëve, përfaqësuesi i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit ngriti shqetësimet për mungesë të pajisjeve logjistike.

Ai kërkoi fonde për blerjen e mjeteve lundruese për patrullimin e hapësirës detare, fonde për rinovimin e armatimit të Policisë Kufitare pasi janë jashtë standardeve, dylbi nate dhe dite për patrullimin e kufirit etj. Kërkesë tjetër ishte edhe blerja e 200 lexuesve optikë të pasaportave. Sipas tij, lexuesit aktualë kanë shfaqur probleme në leximin e pasaportave biometrike dhe për këtë kërkohet rinovimi i tyre.

Lidhur me rinovimin e infrastrukturës së pikave të kalimit të kufirit, Pëllumb Aliaj u shpreh se është në diskutime me kontraktues privatë për të mbuluar të gjitha shërbimet në pikat kufitare në vendin tonë.

“Kemi parashikuar që në bashkëpunim me doganat të krijojmë një njësi shërbimi me kontraktues. Jemi në tratativa të mbyllim marrëveshjen dhe të vendosim pjesën që do të financojmë ne, ose mund t’i ndajmë me pika, ose pjesë buxheti. Ta bëjmë tenderin”, u shpreh Aliaj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne