OBSH: Në Gaza të paktën 10 mijë pacientë kanë nevojë për evakuim mjekësor

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në territoret e pushtuara palestineze, Richard Peeperkorn, tha se në Gaza të paktën 10 mijë pacientë kanë nevojë për evakuim mjekësor dhe se nuk është kryer asnjë evakuim që nga 7 maji kur u mbyll Pika Kufitare Rafah.

Peeperkorn përmes video-lidhjes bëri vlerësime në konferencën javore për shtyp të Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë. Duke tërhequr vëmendjen se që nga 7 maji, kur ushtria izraelite nisi një sulm tokësor në Rafah, më shumë se 1 milion njerëz u detyruan të largohen nga rajoni, Peeperkorn tha se përjetohen vështirësi në operacionet e ndihmës humanitare në rajon.

“Mbyllja e pikës Kufitare Rafah (nga Izraeli) shkaktoi ndërprerjen e qasjes në qendrën logjistike të OKB-së. Gjë kjo e cila bllokoi rrjedhën e materialeve”, tha Peeperkorn. Peeperkorn theksoi se materialet e ndihmës hyjnë në mënyrë të kufizuar nga pika kufitare Kerem Abu Salim (Shalom) ku qasja në rrugën tokësore është më e vështirë për shkak se qendra logjistike është shumë e vogël dhe për shkak të situatës së ndryshueshme të sigurisë. Ma tej ai bëri të ditur se mungesa e hyrjes së rregullt e karburantit ndikon të gjitha operacionet e ndihmës humtanitare.

Në vlerësimin e tij, Peeperkorn tha se 26 kamionë ndihma që i përkasin OBSH-së dhe Mjekëve pa Kufi (MSF) po presin në portin El-Arish të Egjiptit dhe se që nga 6 qershori është penguar qasja e kamionëve nga Porti Al-Arish në pikën Kufitare Kerem Abu Salim (Shalom) dhe se nuk kanë mundur të dërgojnë ndihmë në Gaza. “Të paktën 10 mijë pacientë në Gaza kanë nevojë për evakuim mjekësor”, deklaroi Peeperkorn.

Duke thënë se 17 nga 36 spitalet në Gaza mund të ofrojnë shërbim të pjesshëm, Peeperkorn njoftoi se “3 prej tyre ndodhen në veri të Gazës, 7 në qendër të Gazës, 3 në Deir al-Balah dhe 4 në rajonet Khan Yuouni. Në Rafah nuk ka spitale aktive”. Pasi theksoi se në 13 nga 17 spitalet që ofrojnë shërbim të pjesshëm, aksesi është i kufizuar për shkak të sigurisë dhe kushteve fizike Peeperkorn shtoi se qasja në ujë të pastër në Rripin e Gazës është e kufizuar në mënyrë kritike./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne