OIC: Nuk do të ketë normalizim derisa Izraeli t’i jap fund pushtimit

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), Yousef Al-Othaimeen, ka deklaruar se nuk do të ketë normalizim të lidhjeve me Izraelin derisa vendi t’i jap fund pushtimit të tokave arabe dhe palestineze.

“Vendosja e marrëdhënieve normale midis vendeve anëtare të organizatës dhe vendit pushtues, Izraelit, nuk do të arrihet derisa t’i jepet fund pushtimit izraelit të tokave arabe dhe palestineze të pushtuara që nga viti 1967, përfshirë al-Kudsin”, tha në një deklaratë Al-Othaimeen, sekretari i përgjithshëm i OIC-it.

Al-Othaimeen theksoi se kauza palestineze është një çështje thelbësore për OIC-in.

Iniciativa Arabe e Paqes e vitit 2002, tha Al-Othaimeen, “përbën një zgjedhje strategjike, një mundësi historike dhe një referencë të përbashkët mbi të cilën duhet të bazohet një zgjidhje paqësore, e drejtë dhe gjithëpërfshirëse për konfliktin arabo-izraelit”.

Nisma, që kaloi në vitin 2002 në një takim në Bejrut, propozon krijimin e marrëdhënieve normale midis vendeve arabe dhe Izraelit në këmbim të tërheqjes së Izraelit nga të gjitha tokat arabe të pushtuara që nga viti 1967, si dhe një zgjidhje të drejtë për çështjen e refugjatëve dhe krijimin e një Shteti Palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet të tij.

Por qeveritë e njëpasnjëshme izraelite kundërshtuan iniciativën dhe kërkuan ndryshime thelbësore në të.

Në fillim të këtij muaji, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli njoftuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-të për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, përfshirë hapjen e ambasadave në territorin e njëra-tjetrës.

Grupet palestineze kanë denoncuar marrëveshjen midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, duke theksuar se ajo nuk i shërben çështjes palestineze dhe injoron të drejtat e palestinezëve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne