OKB thotë se partitë ndërluftuese të Sirisë kanë rënë dakord të ngrenë komitete ekspertësh për të diskutuar “çështjet kushtetuese”, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar një zgjidhje politike të konfliktit vdekjeprurës në vendin arab.
Zyra e ndërmjetësuesit të OKB-së, Staffan de Mistura e bëri këtë njoftim të enjten.
De Mistura zhvilloi një seri takimesh të ndara me përfaqësuesit e qeverisë së Damaskut dhe grupet e opozitës për të diskutuar “çështjet ligjore dhe kushtetuese që kanë rëndësi për bisedimet brenda Sirisë”.
Raundi i gjashtë i bisedimeve të paqes siriane nisi nën mbikqyrjen e Kombeve të Bashkuara në qytetin zviceran të Gjenevës të martën.
De Mistura i ka paraqitur bllokut kryesor të opozitës të Sirisë, Komiteti i Lartë i Negociatave të Sirisë (HNC), një dokument që propozon një ekip aktivistësh të shoqërisë civile dhe teknokratësh të ngarkuar me hartimin e një rruge drejt një projektligji.
Një kushtetutë e re për Sirinë është një nga katër temat e veçanta në rendin e ditës në bisedimet në vazhdim, krahas qeverisjes, zgjedhjeve dhe luftimit të “terrorizmit”.
Duke folur me gazetarët menjëherë pas njoftimit të OKB-së të enjten, kreu i delegacionit qeveritar, Bashar al-Xhafari tha se ekipi i tij “nuk ka diskutuar akoma asnjë temë”.
Diplomati sirian e përshkroi planin e mëparshëm të OKB-së si “shumë ambicioz”. Ndërkohë, Xhafari po ashtu ka vënë në dyshim që takimet e ekspertëve do mund të shtyjnë përpara proçesin kushtetues.
“Puna e këtyre ekspertëve nuk do të ketë të bëjë fare me kushtetutën … Ata nuk do të marrin vendime”.
Që nga marsi i vitit 2011, Siria është kapluar nga militantët. Ajo fajëson disa shtete perëndimore dhe aleatët e tyre rajonalë që kanë punuar gjatë për rrëzimin e qeverisë së Damaskut.
Disa raunde bisedimesh të paqes janë mbajtur në Gjenevë dhe në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
Bisedimet e Astanës, të ndërmjetësuar nga Irani, Rusia dhe Turqia, kanë prodhuar së fundmi një memorandum mirëkuptimi për zonat e mbrojtura në Siri, duke reduktuar ndjeshëm luftimet në vend. / Gazeta Impakt