Operacionet e policisë/ Basha kërkon arrestimin e Vangjush Dakos: Është peshku i madh

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar operacionin e mbrëmshëm dhe atë të pak ditëve më parë shkatërrim të dosjes për të shpëtuar kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon.

“Dosja hetimore mbi të cilën është vepruar përgjysmë natën e mbrëmshme është dosja hetimore e Vangjush Dakos. Peshku i madh i kësaj dosje është Vangjush Dako, i cili siç kam paralajmëruar tash dy vjet është kapur në flagrancë në përgjime zyrtare të prokurorisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë në transaksione politike dhe financiare me krimin e organizuar. Pra në shkëmbim të votave për PS duke ofruar tendera dhe lehtësira të tjera grupeve kriminale të krimit të organizuar shqiptar. Pra peshku i madh i kësaj çështjeje quhet Vangjush Dako”, deklaroi kreu i PD.

Sipas tij, të tjerët janë peshq të vegjël të cilët po serviren si pjesë e përpjekjes së Edi Ramës, Fatmir Xhafajt dhe Donika Prelës për të shpëtuar peshkun e madh të kësaj dosje Vangjush Dakon dhe për të shkatërruar provat, hetimet të cilat çojnë dhe duhet të çojnë në arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos.

“Kjo është e vërteta, ky është realiteti që kam denoncuar tash dy vjet. Kjo është një nga dosjet që ka marrë përsipër të shkatërrojë Donika Prela ndaj ngjarjet e mbrëmshme nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e skenarit të shkatërrimit të dosjes hetimore ndaj peshkut të madh që quhet Vangjush Dako. Peshqit e vegjël që kanë arrestuar mbrëmë do të lirohen, akuzat do t’u lehtësohen. Është e gjitha pjesë e një përpjekje të prokurorisë të kapur nga krimi dhe nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj.

Sot ne faktikisht nuk kemi një prokurori të krimeve të rënda, kemi një celulë kriminale e cila i shpërben pikërisht këtij plani”, tha Basha.

Ai theksoi më tej se “duke iu servirur opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë disa peshq të vegjël që do të lirohen siç ka ndodhur me rastet e derisotme të mbyllet hetimi për Vangjush Dakon dhe për të paktën 4 deputetë të tjerë socialistë si pjesë e kësaj dosje hetimore”.

“Të njëjtin fat i presin dhe dosjet e tjera hetimore, të cilat ngarkojnë drejtpërdrejt me përgjegjësi kriminale Taulant ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj dhe natyrisht dhe hetimet për Saimir Tahirin dhe Agron Xhafajn dhe Fatmir Xhafaj. Asgjë të re nuk kemi përveç se përpjekje propagandistike për ta shfryrë dosjen Dako-krimi i organizuar me një dosje të peshqve të vegjël ose të ngordhur, që dhe ata do t’i lehtësojnë dhe do t’i nxjerrin shumë shpejt nga arresti”, deklaroi kreu i PD.

Basha thea se ky nuk është paragjykim por faktim i atyre që ka thënë edhe më herët.
“Unë nuk paragjykoj asgjë. Unë ju kam thënë para dy vjetësh që ka një dosje për Vangjush Dakon tek Krimet e Rënda. Unë ju kam thënë para dy javësh që po bëhet gjithçka për ta shkatërruar këtë dosje. Ajo që ndodhi mbrëmë është mos arrestimi i Vangjush Dakos dhe manipulimi i dosjes hetimore për t’ju ushqyer ju dhe përmes jush shqiptarëve disa peshq të vegjël. Është pikërisht ajo që po ndodh, nuk ka asnjë paragjykim këtu por faktim të asaj që kam thënë prej kohësh. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj bashkë me Donika Prelën e cila ka qenë prokurore në Durrës po bëjnë gjithçka që hetimi për Vangjush Dakon të degjenerojë në arrestimin e përkohshëm të disa ish-deputetëve dhe disa cironkave të tjera”, përfundoi Basha.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne