Opsioni i shkarkimit të Trump

Donald Trump ka nisur turneun e tij të parë jashtë kufijve, që prej zgjedhjes si president i Shteteve të Bashkuara, duke e lënë Shtëpinë e Bardhë të zhytur në një vorbull kundërthëniesh, të cilat kanë nxitur disa politikanë të bëjnë një krahasim me skandalin “Watergate”, që çoi në rrëzimin e presidentit Richard Nixon.

“Ne presim që ta tejkalojmë këtë situatë”, tha Trump për gazetarët. Polemikat përfshijnë përjashtimin e ish-shefit të FBI-së, James Comey, në mes të pretendimeve se presidenti Trump kërkonte që Comey të ndërpresë hetimet ndaj ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se emërimi i një këshilltari të posaçëm hetimor ndaj lidhjeve të pretenduara mes fushatës së tij presidenciale dhe ndërhyrjes kibernetike të Rusisë, “e dëmton Amerikën”, teksa më herët e kishte identifikuar hetimin si “gjuetinë më të madhe të shtrigave” në historinë politike amerikane. Kreu i administratës amerikane përballet me pikëpyetjet rreth lidhjeve të tij me Rusinë gjatë fushatës presidenciale dhe pretendimeve se i ka zbuluar informacione të fshehta ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë takimit në Zyrën Ovale. Presidenti sugjeroi gjithashtu se hetimi, i cili tashmë do të udhëhiqet nga ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller, ishte i motivuar nga një përpjekje për të nxirë fitoren e tij presidenciale vitin e kaluar. Zmbrapsja e Trump u dallua ndjeshëm me mirëseardhjen unanime në Uashington për Mueller, ish-drejtorin e FBI-së që është zgjedhur si prokuror special të mërkurën, nga zv.prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein. Senatori Lindsey Graham, i cili u largua nga seanca informuese e senatorëve me Rosenstein, tha të enjten se tashmë beson që hetimi i Rusisë “duhet konsideruar tashmë një hetim penal”. Furtuna që shkaktuan raportet se Donald Trump i ka kërkuar ish-shefit të FBI-së, James Comey, të heqë dorë nga hetimi i ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, i përshkallëzoi zërat kritike ndaj presidentit deri në pikën që veprimet e tij të konsideroheshin si pengim i drejtësisë.

Në fund u fol edhe për shkarkim dhe gjykim të sjelljes së kreut të shtetit. Ekspertët ligjorë tregohen të kujdesshëm, sepse faktet ende nuk janë zbardhur plotësisht. Shtëpia e Bardhë e mohon që Trump të ketë ushtruar presion mbi Comey për të hequr dorë nga hetimi. Kushtetuta amerikane i lejon Kongresit shkarkimin e presidentëve para përfundimit të mandatit, nëse mjaftueshëm ligjvënës votojnë për të thënë se udhëheqësit e tyre kanë kryer “tradhti”, kanë pranuar “ryshfet”, apo kanë kryer shkelje të tjera të rënda. Subjekt i këtij procesi kanë qenë vetëm 3 presidentë të Shteteve të Bashkuara. Dy prej tyre ishin në prag rrëzimi, por më pas u shfajësuan dhe vazhduan të qëndrojnë në krye të Shtëpisë së Bardhë: Andrew Johnson në vitin 1868 dhe Bill Clinton në vitin 1998. I treti, Richard Nixon u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 1974, për të shmangur shkarkimin. Në fillim të procesit të shkarkimit të presidentit, Dhoma e Përfaqësuesve voton mbi një apo më shumë pika të gjykimit. Nëse të paktën njëra prej tyre merr shumicë votash, presidenti bie, që do të thotë se praktikisht ai do të përballet me padi. Hapi tjetër parashikon dërgimin e çështjes në Senat, ku zhvillohet një lloj procesi gjyqësor i mbikëqyrur nga kreu i Gjykatës Supreme. Një ekip ligjvënësish të vet Dhomës, të njohur si menaxherë, luajnë rolin e prokurorëve. Presidenti ka avokatët e tij mbrojtjes dhe Senati shërben si juri. Nëse dy të tretat e senatorëve e shpallin fajtor, kreu i shtetit lë postin dhe drejtimin e shtetit e merr zëvendëspresidenti./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne