Organizatat e shoqërisë civile në Austri reagojnë kundër masakrës në Arakan

Organizatat e shoqërisë civile në Austri reaguan kundër masakrave të kryera nga ushtria e Mianmarit ndaj muslimanëve të cilët jetojnë në provincën Arakan.

Pakica muslimane e cila jeton në provincën Arakan e cila ndodhet afër kufirit me Bangladeshin në Mianmar, ballafaqohet me persekutimin e ushtrisë dhe murgjëve budistë.

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si Amnesty International, masakrat në Arakan i definojnë si gjenocid.

Zëdhënësja e Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC), Dr. Anita Schug, në një deklaratë dje njoftoi se pjesëtarët e ushtrisë kanë vrarë prej dy deri në tre mijë muslimanë në sulmet e bëra në tre ditët e fundit.

Edhe pse Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë thirrje tek qeveria e Mianmarit për t’i ndalur sulmet dhe masakrat kundër muslimanëve të Arakanit, murgjit budistë dhe disa pjesëtarë të ushtrisë vazhdojnë trajtimet e tyre çnjerëzore, duke injoruar institucionet ndërkombëtare.

Edhe organizatat e shoqërisë civile dhe muslimanët të cilët jetojnë në Austri, si në shumë vende të botës, dënojnë sulmet e ushtrisë së Mianmarit ndaj muslimanëve të Arakanit, duke kërkuar që institucionet ndërkombëtare dhe shtetet islame të tregojnë një qëndrim më aktiv në zgjidhjen e problemit.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Austri (IGGO), Ibrahim Olgun, në një deklaratë për AA, duke theksuar se në Arakan të Mianmarit jetojnë mbi një milion Rohingya tha se që nga viti 2011 situata në këtë rajon është përkeqësuar në mënyrë dramatike kundër pakicës muslimane, ku shpjegoi se presioni dhe persekutimi ndaj tyre ka shënuar rritje.

Olgun duke bërë të ditur se shteti i Mianmarit është duke privuar të drejtat e njeriut të pakicës muslimane, tha se: “Këtyre njerëzve iu ndalua e drejta për të vazhduar brezin e tyre me anë të sanksioneve të ndryshme si kontrolli i lindjes, ndërsa me metoda çnjerëzore u detyruan që të largohen nga tokat ku lindën dhe u rritën”.

Olgun iu ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që të marrin masa për t’i ndaluar masakrat në këtë rajon.

Ndërsa, kryetari i Muslimanëve të Bosnjës në Austri, Esad Memic duke theksuar se dhuna në shekullin e 21-të në Arakan të Mainmarit është mjaft shqetësuese tha se: “Dinjiteti njerëzor në Arakan është duke u shtypur”. Memic duke nënvizuar se dënon të gjitha masakrat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut pa marrë parasysh se ku ndodhin ato, theksoi se: “Ne të gjithë pjesëtarët e familjes së madhe të njerëzimit duhet të veprojmë në frymën e unitetit për të ndaluar dhunën me qëllim që të jetojmë bashkërisht në paqe.”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne