Orientalizimi i orientalizmit

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Hulumtimet e studiuesve perëndimorë në lidhje me aspektet politike, shoqërore, kulturore, fetare, etnike, antropologjike dhe të tjera të shoqërive lindore, të cilat në një dimension kanë të bëjnë me imperializmin dhe në dimensionin tjetër me atë që duket si ekzotike, quhen orientalizëm. Koncepti përfshin gjithashtu një domethënie negative për qasjet, të cilat i shohin shoqëritë lindore nga jashtë, me mospërfillje, si një objekt pasiv dhe jo si një subjekt aktiv.

Studimet orientaliste janë kuptimplota edhe në botën e sotme. Vetëm se ato kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Hulumtuesit perëndimorë nuk e konsiderojnë më aq të nevojshme sa në të kaluarën që të shkojnë personalisht në terrenin e Lindjes, sikurse bënin më parë. Kjo sepse studiuesit nga vendet lindore janë më të gatshëm që t’i paraqesin këto hulumtime apo informacione duke shkuar vetë në vendet perëndimore.

Historia jonë e trishtueshme 200-vjeçare

Vendet si Turqia dhe Japonia, të cilat s’kanë arritur të qëndrojnë mjaftueshëm karshi qytetërimit perëndimor, dërgojnë në Perëndim prej gati 200 vitesh hulumtues, specialistë, akademikë, studentë, zyrtarë dhe burokratë. Një metodë të ngjashme ndjekin sot edhe rajone të tilla si Afrika, Ballkani, Lindja e Mesme, Lindja e Largët, Amerika Latine apo shumë vende të tjera si Kina dhe India. Në këto vende, jo vetëm nga universitetet, por nga pothuajse të gjitha ministritë dhe institucionet publike, nëpunësit dërgohen në shtetet perëndimore për edukim, informacion, kulturë dhe mirësjellje. Këto vende, me burimet e tyre të kufizuara, i vazhdojnë këto përpjekje duke hequr dorë nga shumë shpenzime të detyrueshme dhe duke paguar kosto të mëdha vetëm e vetëm që ata të mund t’i shohin në vend akumulimin, shkencën, teknologjitë dhe metodat e Perëndimit. Por a po arrihet rezultati i synuar? Duke qenë se vazhdohet prej 200 vitesh të dërgohen njerëz për arsim në Perëndim, rezultati nuk është fort ai i dëshiruari. Një profesor i yni në vitet e universitetit thoshte se “japonezët morën shkencën dhe teknologjinë e Perëndimit dhe u kthyen në vendin e tyre, ndërsa tanët u bënë poetë dhe u kthyen”. Historinë dyqindvjeçare të shkuarjes dhe përhumbjes në Perëndim e shpjegon jashtëzakonisht bukur përmes një babai të shtatë fëmijëve edhe poeti turk Sezai Karakoç, në vjershën e tij me titullin “Përrallë” (Masal).

Të shkosh në Perëndim për të mësuar vendin tënd

Një realitet i hidhur është fakti që studentët, akademikët, hulumtuesit dhe nëpunësit civilë që dërgohen në Perëndim nga shumë vende, të cilat presin “që ata të marrin akumulimin e njohurive dhe metodën e punës së vendeve ku dërgohen, për t’u kthyer pastaj në atdhe dhe kontribuuar në zhvillimin e tij”, në shumicën e rasteve nuk kthehen kështu në vendin e tyre. Nëse universitetet dhe institucionet publike të vendeve dërguese do të bënin një sondazh fare të shkurtër rreth temave mbi të cilat punojnë njerëzit e dërguar prej tyre në Perëndim, atëherë do ta kuptojnë këtë situatë menjëherë.

Studentët, akademikët dhe hulumtuesit që shkojnë në Perëndim nga shumë vende, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkencat shoqërore, në të shumtën e rasteve fokusohen në çështje që kanë të bëjnë me vendet e tyre dhe jo me vendet ku janë dërguar. Këtë tablo të trishtueshme e shoh dhe pikëllohem sa herë që takohem me njerëz që vazhdojnë hulumtimet akademike në Perëndim apo që i kanë përfunduar ato dhe janë kthyer në Turqi.

Të bëhesh specialist i Turqisë për Perëndimin dhe jo i Perëndimit për Turqinë

Ata që shkojnë në Perëndim nga shoqëritë joperëndimore për qëllime arsimore, për arsye të ndryshme dhe kryesisht sepse studiojnë çështje të lidhura me vendin e tyre, prodhojnë rezultate shumë të ndryshme dhe ndonjëherë krejt të kundërta nga ato të synuarat. Në këtë mënyrë, vendet në fjalë s’bëjnë gjë tjetër veçse i transferojnë Perëndimit fondet dhe akumulimin e tyre. Kur ata kthehen në atdhe pasi janë specializuar në një fushë të caktuar për Perëndimin dhe jo për vendin e tyre, atëherë nuk është se ata mbyllin një deficit apo plotësojnë një nevojë të vendit. Pra, duke qenë se janë specializuar në një fushë që ka të bëjë me atdheun e tyre, ata në të vërtetë janë bërë specialistë të Perëndimit për fushat që ky i fundit ka nevojë në lidhje me vendin e tyre të origjinës. Nëse duhet të japim një shembull nga Turqia; pavarësisht ne kemi 200 vite që dërgojmë njerëz për studime apo specializime në shtetet perëndimore, në Turqi është jashtëzakonisht i kufizuar numri i ekspertëve për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe Francën, vende në të cilat kemi dërguar më shumë njerëz. E kundërta vlen për ata që janë bërë specialistë për Turqinë duke studiuar në Perëndim me fondet e Turqisë. Ajo që dua të them është se numri i këtyre të fundit është shumë i lartë sesa i grupit të parë. Thënë ndryshe, ndërkohë që të gjesh specialist të një fushe të caktuar rreth vendeve perëndimore është jo pak e vështirë, për sa u takon çështjeve që kanë të bëjnë me Turqinë, do të dëshmoni se kësisoj ekspertësh shfaqen gati përditë në radiot, televizionet, gazetat dhe portalet informative perëndimore.

Kur ata që shkojnë në Perëndim nga shoqëritë joperëndimore kryejnë hulumtime mbi të drejtat e njeriut, mbi problemet etnike dhe të pakicave, mbi çështjet strategjike dhe lëvizjet fetare në vendet e tyre, tashmë perëndimorët s’kanë më nevojë as që të bëjnë kërkime orientaliste të reja. Sepse do të duhej shumë më tepër kohë dhe një kosto mjaft më e lartë që një hulumtues perëndimor të arrijë të analizojë një subjekt në një shoqëri joperëndimore duke mësuar gjuhën dhe njohur dallimet midis shoqërive. Por është shumë më praktike sa i përket kohës dhe kostos për të studiuar lëndë të ngjashme përmes një hulumtuesi me perspektivë perëndimore, i cili ka shkuar në Perëndim me fondet e vendit të tij dhe e shikon atdheun përmes teorive dhe metodave perëndimore. Të transformosh njerëzit që shkojnë në shtetet perëndimore me fondet e vendeve të tyre në ekspertë të Perëndimit për fushat që ka nevojë Perëndimi, është një përpjekje shumë e zgjuar. Kjo është një punë e shkëlqyer, e hollë dhe e sofistikuar, jo një përpjekje e rëndomtë që mund të vërehet me një shikim.

Po a shkaktohet problemi vetëm nga vendet në të cilat shkohet? Për kërkimin e së ardhmes në atdhe me hulumtime rreth Perëndimit, për largimin e trurit apo intelektualëve dhe pasojat e vetorientalizimit do të flasim javën e ardhshme. Por le të themi që tani se problemi s’shkaktohet vetëm nga vendet në të cilat shkohet, madje shtetet perëndimore kanë shumë më pak pjesë në këtë mes./ TRT

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne